Nga Arbër Zaimi
1. Lidhja e Prizrenit është datë themeltare e projektit për shtet shqiptar, projekt që sot historia na e ka ndarë më dysh, si kokat e shqiponjës, me dy shtete e me dy flamuj, me dy ekonomi e dy sisteme ligjore, etj. Urojmë përkohësisht. Në simbolikën e emblemës shqiponja rron edhe me dy koka, por në realitet ne e dimë se nuk rrohet me dy koka, e as me dy zemra. Kombi, për aq sa kanë kuptim krahasimet me trupin e pa dashur të nënkuptoj assesi uniformizime apo unitete organike por thjesht institucionale si të çdo kombi tjetër, do të jetë rehat kur të jetë me një kokë e me një zemër.
2. Asnjë organizatë apo shoqëri, as ndonjë parti, komb apo shtet, nuk mund të ketë jetë të vetën nëse nuk ka gjallëri intelektuale, nëse nuk prodhon mendim. Format e kolektivëve njerëzorë që nuk mendojnë, janë forma vegjetative e parazitare. Një krye a dy krerë a shumë krerë shqiponjash e shqipesh, nëse nuk mendojnë janë prapë zero koka. Prandaj ne duhet e na takon edhe ta mendojmë projektin e Lidhjes e jo vetëm ta festojmë atë.
3. Ia nisim për të menduar një paplotësi: Lidhja e Prizrenit ishte bashkimi i krerëve për të shprehur zërin shqiptar përballë rrezikut të huaj. Në histori, me pak përjashtime, shqiptarët kanë ditur të bashkohen për ta thënë, herë cilësisht e herë jo, zërin shqiptar përballë të keqes së huaj. Çka nuk kanë ditur aq shpesh, është ngritja e zërit, bashkimi dhe qëndrimi përballë të keqes që nuk vjen nga jashtë.
4. Siç ka panumër lloje rreziqesh të jashtme, që cënojnë pavarësinë e ndërvarur që gëzojnë popujt e lirë, ka gjithaq lloje rreziqesh të brendshme. Por ne i dimë më kryesoret e të dyja llojeve (ndonëse më mirë dimë të parat se të dytat). Po merrem këtu vetëm me një lloj specifik të rrezikut të brendshëm, atë që sociologu e politologu francez Jean-François Bayart në studimet që ua bën shteteve postkoloniale afrikane e quan “politikë e barkut”. Politikë të barkut kanë ato vende ku shoqëria është mjaftueshëm e pjekur sa të kundërreagojë ndaj agresioneve të jashtme, pra është e pavarur, por nuk është e pjekur në atë mënyrë sa të krijojë tensionin e domosdoshëm kundër klaneve të brendshme që përfitojnë prej pushtetit burokratik. Në shoqëritë e barkut postet publike blihen, e mandej përdoren për të akumuluar pasuri, e cila përdoret për të blerë edhe më shumë votues, truproja, gazetarë që kinse thonë të vërtetën kur përbaltin kundërshtarin, kompani që fitojnë tenderë kinse me konkurse… Elitat në shoqëritë e barkut janë klanore, por asimilohen te njëra-tjetra, lidhin krushqi, japin e marrin. Siç vë re dhe një tjetër studiues i shteteve afrikane, historiani amerikan Frederick Cooper, ato funksionojnë si rojtare të “tregut të brendshëm” duke mos lënë të futen kompani të huaja kinse në emër të nacionalizmit ekonomik por dihet që hallin e kanë te ruajtja e oligopolit të kompanive që vetë i kontrollojnë në prapaskenë. Janë po aq rojtare të “tregut” kur nuk lejojnë as ardhjen e forcave apo mendësive të reja në politikë: të rinjtë pranohen vetëm nëse janë paraprakisht të kapur e të kontrolluar, ose vetëm nëse u jepet një rol i vockël tretësor, si dekor për pluralizmin dhe demokracinë. A e kemi ne fuqinë, jo t’i japim zgjidhje Afrikës, por të mendojmë se si qëndron shoqëria shqiptare në Shqipëri e Kosovë në raport me këtë rrezik të brendshëm?
5. Lidhjen Shqiptare e kemi. Na duhet një zgjidhje shqiptare, jo që i jep fund por që na e ruan lidhjen. Lidhja na jep zgjidhje nëse angazhohemi përditë e sa më të organizuar kundër politikës së barkut, për një politikë të kokës, që lë vend dhe për zemrën.