Lionel Messi mund të rikthehet sërish te Barcelona. Pas aventurës së tij në MLS, ku tregoi edhe një herë se mbetet një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, duket se kampioni argjentinas nuk e ka mbyllur ende kapitullin katalanas.
Sipas mediave spanjolle, Messi ka pasur sezone të mira në SHBA, me gola dhe asistë të shumtë, por dëshira për një mbyllje të suksesshme të karrierës në “shtëpinë” e tij të futbollit nuk është shuar ende. Kjo përkon me afrimin e zgjedhjeve presidenciale të Barcelonës në vitin 2026, të cilat pritet të sjelin trazira brenda rradhëve të klubit katalanas.
Thuhet se Messi mund të ketë një rol të veçantë në këto zgjedhje, drejtpërdrejt ose tërthorazi. Kjo mund të ndikojë në garën e presidentit aktual, Joan Laporta, i cili në mandatin e kaluar kishte fituar besimin e anëtarëve duke premtuar se do ta mbante Messin – një premtim që nuk u realizua dhe që mbeti një nga episodet më të diskutueshme në historinë e klubit blaugrana.