Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka kërkuar heqjen e masës së sigurisë që e mban prej një viti në qeli. Kërkesa është depozituar në Gjykatën e Posaçme nga avokati i tij, Kujtim Cakrani, i cili i është drejtuar GJKKO-së me një shkresë zyrtare për “shuarjen e masës së sigurisë”.
Në dokument, mbrojtja e Metës kërkon rrëzimin e vendimeve të mëparshme të GJKKO-së – konkretisht nr. 125 dhe nr. 130 të tetorit 2024 – si dhe të vendimit nr. 59 të nëntorit të po atij viti, të dhënë nga Gjykata e Apelit të Posaçëm.
Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024, nën dyshimet për përfshirje në veprimtari korruptive dhe pastrim parash në bashkëpunim me ish-kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, dhe funksionarë të tjerë publikë. Hetimet e SPAK përfshijnë disa episode të ndodhura gjatë 15 viteve të fundit, ku Meta e Kryemadhi dyshohet se kanë përdorur pozitat e tyre për të favorizuar kompani private dhe për të përfituar shuma të mëdha parash përmes lobimeve dhe transaksioneve të dyshimta në tregun e pasurive të paluajtshme.
Kryemadhi po hetohet për tre akuza; pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash– ndërsa aktualisht ndodhet nën masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, e konfirmuar më 23 tetor 2024. E njëjta masë është vendosur edhe për të hetuarën Ema Çoku, ndërsa ndaj Piro Xhixhos, i akuzuar për korrupsion pasiv, masa “arrest në shtëpi” është zëvendësuar me “detyrim paraqitjeje”.
Të tre personat e fundit urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK, ndërsa gjykata pritet të shqyrtojë brenda javëve të ardhshme kërkesën për lirimin e Ilir Metës.