Pretendimi i politikanëve se nuk janë as të majtë e as të djathtë tingëllon si pretendim çlirues apo jo? Më në fund të lirë të bëjnë atë çka lyp momenti, të bëjnë pra gjënë e duhur, më të përshtatshmen, më të mirën, të lirë nga filozofia, nga mendimi politik.
Kryeministri rus gjatë viteve ‘90, Viktor Chernomyrdin kishte mënyrën e vet për t’iu gëzuar kësaj lirie. Ai kishte vendosur të fliste pa letër, sepse të folurit me letër përfaqësonte regjimin e moslirisë, kohën kur fjala si çdo gjë tjetër duhet të mendohej, të planifikohej, dhe të zinte vendin e vet. Liria e të folurit pa letër në rastin e tij rezultonte në gafa, për të cilat mbahet mend edhe pas vdekjes e që rusët i kthyen në barsoleta. Një herë, duke folur pa letër për një reformë monetare që kishte sjellë rezultate negative për ekonominë e njerëzve dhe të vendit, Chernomyrdini tha “ne deshëm të bënim më të mirën, por përfundimi na doli si gjithmonë”.
Për nja dy dekada ideologët e post-ideologjisë dhe të post-historisë e përdorën gafën e Chernomyrdinit si një shembull të pamundësisë së çlirimit prej ideologjive të atij që dikur kish qenë punëtor i tyre (sepse Chernomyrdini kish qenë ministër dhe në kohërat sovjetike kur flitej me letër). Ata që pretendonin se historia kishte gjetur fundin e saj paqësor në botën post-ideologjike e post-moderne, thoshin se kur ta marrë në dorë gjenerata e atyre që gjithë jetën kanë folur pa letër, pa ideal e pa ideologji, do të triumfojë pragmatizmi e prakticizmi dhe do të pllakosë parajsa në tokë.
Puna është se që prej asaj kohe kur u shpall triumfalisht “vdekja e historisë” dhe triumfi i kapitalizmit liberal, kanë ndodhur shumë ngjarje histori-prodhuese, në më të shumtën e rasteve tragjike, pavarësisht se autorët vazhdimisht largojnë fajin prej vetes duke përdorur formulën e chernomyrdinkës “ne deshëm të bënim më të mirën”. Shumë politikanë, të rinj e të vjetër, janë bërë kopje të Chernomyrdinit, improvizues, qoftë kur kanë fuqi e qoftë kur s’kanë.
Është gjithnjë e më e qartë se shkëputja e politikës dhe e pushtetit prej mendimit filozofik e human, prej studimit të historisë e sociologjisë, prodhon dy gjëra që po shfaqen aq shpesh kohët e fundit: arrogancën në formën e hiperagjencisë dhe papërgjegjësinë në formën e nihilizmit.
Hiperagjencia, besimi në pasjen e pushtetit të pakufishëm mbi tjetrin, po prodhon kësokohe luftëra, agresione, shtypje, dhunë apo edhe shprehje thellësisht poshtëruese e çnjerëzuese si puna e atyre videove AI që përfytyron Gazën të shndërruar në jo-vend turistik “readymade” si puna e Antalias apo Cancunit. Kuptohet, pas largimit pa hir të popullit. Kjo shprehje e “bukurisë” së paqes konsumatore e turistike që lind pas shfarosjes që as nuk meriton të përmendet, nuk është e mundur përveçse nëse jemi të lirë prej çdo mendimi, ideali e ideologjie që raporton politikën me shoqëroren e historiken.
Ndërsa nihilizmi, papërgjegjësia, karakterizohet më së miri nga regjimi i post-truthit. Liria për të folur pa letër e gjen destinacionin e saj te liria për të mos qenë koherent, për të ndryshuar fjalën tënde e të tjetrit sy për sy, përveçse edhe për të konstruktuar gënjeshtra më të besueshme se e vërteta. Gjithnjë e më shpesh të vërtetat po bëhen të pabesueshme apo pak të besueshme. Kjo është sikur ta shtrish “tymnajën e luftës” mbi gjithë botën. Regjimi i post-truthit (i lindur prej lirisë për të folur pa letër, që në thelb është liri për të pretenduar se nuk ke pozicion shoqëror, ekonomik, politik, njerëzor nga i cili flet, pra liri për të qenë evaziv, uzurpues i pozicioneve të të tjerëve pra dhe pamundësues të debatit e anulues i të tjerëve) krijon mjegull globale fort të përshtatshme për ujq globalë që duan luftë globale.