Gjykata e Ulqinit vendosi lirimin dhe vijimin e hetimit në gjendje të lirë për dy efektivët e policisë malazeze që para pak ditësh dhunuan Petraq Milon, ish-zyrtar i lartë shtetëror në pikën kufitare të Muriqanit.
Efektivët malazezë, Shqekiç dhe Boljeviç u liruan nga paraburgimi pas marrjes në pyetje dhe hetimi ndaj tyre vijon në gjendje të lirë.
Gjatë seancës ndaj tyre, jashtë ndërtesës së Gjykatës së Ulqinit ra në sy prania e një numri të lartë policësh malazezë në mbështetje të kolegëve të tyre.
Gjatë marrjes në pyetje, dy policët shpjeguan se Petraq Milo nuk kishte respektuar radhën në pikëkalimin kufitar dhe kishte injoruar urdhërat e tyre, çka kishte sjellë dhe reagimin e dhunshëm ndaj Milos.
Vetë Petraq Milo i mohoi akuzat për mosrespektim të rregullave në pikën doganore.
Video e dhunimit të Petraq Milos u bë virale dhe solli reagime të shumta. Polemika ngjalli reagimi i kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç i cili mori në mbrojtje dy efektivet që dhunuan Milon në prezencë të fëmijëve dhe bashkëshortes së tij.