Liverpuli mposhti në shtëpi Totenhemin 5-1, duke siguruar matematikisht titullin e 20-të kampion në historinë e klubit.

Arne Slot shkroi historinë duke qenë i dyti trajner që arrin të fitojë titullin kampion në sezonin e parë në drejtim, pas Zhoze Murinjos në sezonin 2004-2005.

Timonieri holandez i të kuqve nuk i fshehu emocionet pas fitimit të titullit, duke mos harruar edhe kontributin e paraardhësit të tij, Jurgen Klop, i cili ndërtoi këtë ekip që dominoi këtë sezon.

“Është e vështirë ta shpjegoj me fjalë. Pamjet këtu dhe ato para ndeshjes tregojnë më shumë sesa mund të përshkruaj unë. Prania e tifozëve është ajo që e bën këtë moment kaq të veçantë. Para 3-4 vjetësh ata fituan titullin; ishte një arritje e jashtëzakonshme, por tifozët nuk ishin aty. Kështu që ndien se sa e rëndësishme ishte për ta të ishin të pranishëm sot.

Djemtë bënë një punë të jashtëzakonshme, bashkë me tifozët tanë. Nuk mendoja se mund ta humbnim këtë ndeshje. Nëse ishe në këtë stadium, e ndieje qartë. Fokusi ynë kryesor ishte të fitonim këtë ndeshje. Të gjithë thoshin se ne tashmë e kishim fituar titullin, por ne ende ndienim presionin për ta siguruar matematikisht.

Gjatë gjithë sezonit kemi qenë pothuajse gjithmonë në krye të tabelës. E dimë sa e vështirë është Premier Liga, por gjithmonë kemi pasur besimin se mund ta fitonim.

Puna që kishin lënë Klop dhe Lijnders – kultura, përkushtimi, cilësia – ishte e jashtëzakonshme.

Na ndihmoi edhe periudha e vështirë e Sitit. Kur nisi sezoni, do pranonim 4 vendet e para, por kjo nuk do të ishte e drejtë për lojtarët, sepse janë shumë më të mirë se kaq dhe këtë e kanë treguar këtë sezon,” – u shpreh Arne Slot në fjalimin para tifozëve gjatë festimeve të titullit kampion.

By Editor