Gazetarja Anduena Llabani, e ftuar në studion e “News24”, ka hedhur akuza të forta në lidhje me çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke deklaruar se, sipas saj, kjo e fundit ka ndikuar në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese.
Llabani u shpreh se ekzistojnë pretendime se Gjykata Kushtetuese është “blerë” për të dhënë një vendim në favor të Ballukut, duke shtuar se ajo është e bindur se kërkesa e zëvendëskryeministres do të miratohet.
“Gjykata Kushtetuese, zonja Balluku thuhet se e ka blerë Gjykatën Kushtetuese për të dhënë një vendim në favor të saj. Jam e sigurt që Gjykata Kushtetuese do ta miratojë kërkesën e saj”, deklaroi Llabani.
Gjatë intervistës, gazetarja foli edhe për një numër të konsiderueshëm zyrtarësh të lartë që, sipas saj, ndodhen aktualisht në procese hetimore. Ajo tha se rreth 70 për qind e këtyre hetimeve përfshijnë raporte ndërkombëtare dhe se bëhet fjalë për rreth 14 zyrtarë.
“Sot që flasim kemi disa zyrtarë të lartë në hetim. Pirro Vengu është nën hetim nga SPAK, Ceno Klosi po ashtu. Niko Peleshi ka aktualisht një procedim. Kemi Frida Krifcën, si dhe Engjëll Agaçin”, u shpreh ajo.
Llabani ndaloi veçanërisht te Ministria e Mbrojtjes, ku sipas saj po hetohen disa tenderë, kryesisht në fushën e veshjeve ushtarake. Ajo iu referua edhe intervistës së fundit të ish-zyrtarit Arben Ahmetaj, i cili, sipas saj, për herë të parë ka përmendur emrin e një gjenerali të lidhur me këto tenderë.
“Ahmetaj deklaroi emrin e një gjenerali që lidhet me tenderët. Bëhet fjalë për Petri Cunin, i cili rezulton të ketë lidhje me kompani që kanë kontrata me kompaninë KAYO për prodhimin e veshjeve ushtarake. Ka nisur një hetim për të verifikuar rolin e tij”, tha Llabani, duke e cilësuar këtë si një tjetër skandal që pritet të zbardhet.
Sipas saj, këto informacione janë dorëzuar me dokumentacion të plotë, çka ka çuar në nisjen e hetimeve përkatëse nga institucionet përgjegjëse.

