Aktivistja Arilda Lleshi ka komentuar kandidaturën e Endri Shabanit për Avokat të Popullit, duke ngritur shqetësime për përputhshmërinë me Kushtetutën dhe pavarësinë e këtij institucioni. Lleshi thekson se, përpara se të kandidonte, Shabani ishte kryetar i një partie dhe se roli i tij i ri mund të ndikojë në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
Më poshtë sjellim analizën e saj të plotë:
“Sipas Shqiptarja, media e Carlo Bollinos, Endri Shabani është kandidatura e PS për Avokat të Popullit, ndërkohë shumica e përfaqësuesve të PD kanë firmosur për të. Sipas Kushtetutës, neni 61, pika 4, Avokati i Popullit nuk mund të bëjë pjesë në asnjë parti politike. Endri Shabani ishte kryetar i Nismës Thurje deri ditën që vendosi të kandidonte për Avokat të Popullit dhe u fut në sferën publike si kryetar i kësaj partie.”
“Diskursi publik i tij ka qenë gjithmonë që PS-PD janë e keqja e vendit, që kanë shtrirë fijet si rrjeti i merimangës dhe bllokojnë të rinjtë në këtë vend. Me sa duket, Endri paska rënë vetë në rrjetin e merimangës. Detyra e Avokatit të Popullit është të mbrojë të drejtat e njeriut nga veprimet e padrejta të qeverisë. Nëse do ishte një njeri që nuk e njihnim, do i jepnim benefitin e dyshimit këtij institucioni për 5 vitet e ardhshme. Mirëpo, institucioni është i kompromentuar që në gjenezë me dikë si Endri Shabani. Të drejtat e kujt do mbrojë ai para PS që do ta zgjedhë?”
“Endri Shabani i ka bërë një dëm të madh këtij vendi, duke shkelur mbi mundin dhe sakrificën e atyre që po përpiqen për ndryshim, duke thyer besimin e shqiptarëve te politika e re dhe duke u bërë vegël e atyre që pretendonte se po luftonte. Asnjë titull nuk e lan dot turpin.”

