Nga Arbër Zaimi
Teksa Amerika e ka bërë të qartë se nuk e sheh BE-në si pjesë të diskutimeve me Rusinë për paqen në Ukrainë, kryediplomati kinez Wang Yi i tha kryediplomates evropiane Kaja Kallas se Kina mbështet një rol të rëndësishëm evropian në bisedimet për paqe.
Çka po ndodh?
Amerika ka intensifikuar përpjekjet për ta larguar Rusinë prej Kinës duke i premtuar marrëveshje e normalizim mbi Ukrainën, duke hequr qafe pengesat dhe komplikimet që mund të vijnë nga shqetësimet evropiane për sigurinë dhe ekonominë. Këto përpjekje kanë nisur së paku qysh në kohën e Obamës, por tash janë më të zbuluara e nuk po marrin shumë parasysh rendin ndërkombëtar të pasrënies së Murit të Berlinit (të cilin rend Trumpi e sheh si të skaduar dhe dëshiron ta transformojë rrënjësisht).
Largimi i Rusisë prej Kinës ka rëndësi të dorës së parë për Amerikën si objektiv gjeopolitik, sepse Kina është rritur shpejt si ekonomi e si teknologji, dhe tashmë garon me Amerikën për dominim në disa sektorë të rëndësishëm. Rusia s’është ekonomi kushedi sa e zhvilluar, por ka në zotërim shumë burime të vlefshme natyrore e njerëzore. Dikur, kur gara ishte mes Amerikës dhe Rusisë (BRSS), amerikanët ndoqën të njëjtën strategji duke joshur Kinën që të largohet nga Rusia (një proces i strategjizuar nga Kissingeri dhe i vënë në jetë nga Nixoni). Kina asokohe duke u shkëputur nga Rusia e duke u afruar me Amerikën mori si shpërblim pikërisht atë mundësi zhvillimi që e solli këtu ku është sot. Investimi në çarjen Rusi-Kinë asokohe ka ndikuar në fitoren e Luftës së Ftohtë prej Amerikës, besohet se një investim i ngjashëm do të ndihmojë edhe tash në fitoren e garës së ShBA me Kinën. Por kjo nuk është gjë e lehtë, lidhjet Rusi-Kinë janë ekonomikisht të thelluara sot më shumë se në vitet 60-70. Veç kësaj, edhe Rusia e sotme si Kina e atëhershme ka një elitë e cila nuk do të lëvizte nga ambiciet vetjake për përfitime të vogla e që nuk mjaftohet me ca lëshime në Ukrainë.

Kina natyrisht që do të përpiqet nga ana tjetër të veprojë për forcimin e lidhjeve të saj ekonomike dhe gjeopolitike me BE-në. Këtë gjë amerikanët e dinë, prandaj po përpiqen të promovojnë në Evropë një klasë politike që nuk e dëshiron veprimin e përbashkët evropian por që do forcimin e shteteve individuale. Kjo gjë ndihmohet nga situata evropiane, ku mungon udhëheqja strategjike e mbizotëron ajo burokratike. Forcimi i shteteve individuale evropiane që janë gjithsesi të vogla në mejdanin global, do ta linte BE-në jashtë tavolinave për një kohë. Duke u asgjësuar pesha e Brukselit, Kina s’do të kishte mundësi ta rivalizonte afrimin Washington-Moskë duke tentuar afrimin Pekin-Bruksel.
Është herët për ta parashikuar rezultatin e këtyre skematizimeve. Ndoshta lidhjet Rusi-Kinë dhe krenaria e Moskës janë aq të forta sa që do ta dështojnë ekskursionin amerikan. Në atë rast Amerika do t’i rikthehej me vrull “bashkëshortes së vjetër” me banim në Bruksel. Por për momentin Evropës i është hapur për herë të parë dera për të zhvilluar një elitë mirëfilli të vetën politike, ushtarake dhe ekonomike, duke ruajtur vlerat dhe ekuilibrat e veta shoqërore e ekonomike, e jo ato që i imponohen nga jashtë. A do të guxojë Evropa të hedhë hap të matur në atë derë të hapur se…?