Nga Ermal Mulosmani

Fjala “paçavure” në Fjalorin e Gjuhës Shqipe përkthehet si një copë e grisur nga një rrobë, e cila përdoret për të hequr enët kur janë në zjarr, për të fshirë furrën e bërë pis; rreckë e fëlliqur; sukull. Gjithashtu, kjo fjalë, përdoret edhe për një letër të shkruar keq, pa shije e stil, psh: “Ç’është kjo paçavure”? 

Në Jugun e Shqipërisë ekziston edhe një ëmbëlsirë me këtë emër. Por kjo është histori tjetër. 

Fjalia “je një paçavure”, si sharje për njerëz, ka një përdorim krejt të rrallë në gjuhën letrare. Kjo fjalë përdoret kryesisht për leckat, ëmbëlsirat dhe letrat e bakallit.

Në dialektin e gegnishtes fjala “paçavure” shndërrohet në paçavër. Dhe kuptim të parë ka atë figurativ, një përçmim për njerëzit e përdorur nga të fuqishmit, leckë e përdorur për të fshirë mutin dhe papastërtinë e tyre. 

Duke kërkuar një fjalë sa më adekuate për një nga populluesit më të shpeshtë të emisioneve politike të darkës, Lorenc Vangjelin, më erdhi në mendje paçavra. Jo se nuk ka të tjera por nuk e përshkruajnë aq saktë sa ajo fjalë. Do përpiqem ta shpjegoj më poshtë se pse.

Në një shoqëri që protagonizmin politik e ka akoma në qendër të informacionit të vet, Lorenci dhe të tjerë si ai,  janë figura publike me ndikim. Lorenci është një dishepull i pakushtëzuar dhe i gjithkohëshëm i së i së majtës dhe, zelli i tij për nënshtrim shfrytëzohet  prej vitesh nga shefat e tij ideologjikë.

Sikur të ishte vetëm përkushtimi ndaj kauzës kjo do të ishte e kuptueshme. Madje edhe e lavdërueshme. 

Problemi i Lorencit fillon kur i duhet të shmangë të vërtetën që bie ndesh me kauzën e tij. Njolla që po u vihet udhëheqësve të tij duhet larë menjëherë e me çdo kusht!  

Aty ai shndërrohet në një armë goditëse e pamëshirshme, një kamikaz gjuhëhelm e kërcënues, një denigrues kulturor e seksual, a thua ai vetë është një miksim i Kazanovës, Pushkinit, Boudlerit dhe Frojdit bashkë, dhe nuk resht së theksuari epërsinë e tij. Ngjyresa e zërit, picërrimi i syve, lëvizjet e gjuhës, harkimi i vetullave si këngëtare tallavaje apo kithëtimi i buzëve si modele Dubai – komunikojnë përtej fjalëve. Dhe në fund fare vjen kërcënimi mes gjysmë të vërtetave që “i din vetëm ai”. 

“Kaq po them, mos më fut të flas më gjatë” lëshon helmin gjarpri dhe ajri helmohet. “Ekziston një foto jote nëpër ato vende aty vërdallë”, “e thirrën i thanë dorëzohu pas tetë orë bisedimesh”, “do ketë të tjerë non grata brenda tri ditësh” e të tilla thagma që fillojnë me fjalën e palejueshme në gazetari, “thuhet”. 

Sigurisht, pjesë e komunikimit lorencian janë edhe lëvizjet e  duarve, buzëve, vetullave, gjestet konspirative dhe, në fund të thagmës, kapardisja e kotë e një të përdoruri. Ai po thotë ato gjysmë të vërteta të cilat shefat e tij e porosisin. 

“Thuhet” – nis fjalën i vetëkënaqur Lorenci- duke lënë të shastisur dëgjuesit. Pastaj bën pauza, shikon drejtuesin – gjithashtu gojëhapur- dhe vazhdon pasi shijon efektin. Në studio bie qetësi, kërshëria përpin të ftuarit. “Në një natë me shi dhe mjegull, në aeroportin e Tiranës është takuar një eksponent i njohur i botës së krimit me një nga liderat e opozitës. Priten zhvillime interesante këto ditë…” 

Kaq thotë Lorenci. Fevziut i thahet pështyma, Ylli e përpin rrëfimin. Por Lorenci e ndal aty. “Kaq u them unë”. 

Studio shpërthen në ilaritet. Në vesh i komunikojnë njëri-tjetrit kriminelin dhe politikanin që do ketë qenë në atë takim. Lorenci kapardiset fitimtar. Në portret i shfaqet buzqeshja e kithët, triumfuese…

Burimin të cilit i referohet Lorenci askush nuk e vë në diskutim. Lihet të kuptohet se është i sigurtë. Ndonjë që vë në dyshim thashethemin e Lorencit, tingëllon i painformuar; gati gati naiv. 

Ylli një natë i tha: “Mendohet mos e thuaj, se ti e di saktësisht këtë por”…Të gjithë i pranojnë burimet e Lorencit si të pakontestuara. 

Por pse vetë burimi i Lorencit nuk vjen vetë nuk vjen në studio e t’i thotë të vërtetat deri në fund e të shpëtojmë të gjithë? 

Kjo është pyetja që të çon te përgjigja se çfarë është Lorenci. Burimi i Lorencit janë pushtetarë që e porosisin të thotë gjysmë të vërteta konspirative, kërcënuese, shantazhuese. Ata nuk mundet të vijnë vetë e t’i thonë ato të vërteta pasi do të përfshinin veten në aferat e ndotura dhe mutin e shpërndarë në fushën e politikës. Prandaj, çojnë aty Lorencin si paçavër për ta fshirë atë mut ose bërë me mut edhe kundërshtarin.  Punë të cilën Lorenci e kryen në mënyrë të përsosur. Me cinizëm, servilosje, përkushtim dhe me përbetimin si “luftëtar i së vërtetës”. 

E bën  jo pa finesë. 

Një karakter si të Lorencit e përshkruan Maria Vargas Llosa në romanin politik të tij “Pesë Qoshet”. Ngjarjet në romanin e Llosas zhvillohen në Liman (kryeqyteti i Perusë) e viteve 90. Në epiqendër është një biznesmen i njohur vendas, mjaft i pasur, i cili kërcënohet me publikimin e një sërë fotosh erotike në rast të mospagesës. Kërcënuesi është një botues i një gazete rozë që jetonte përmes shantazheve të tilla. Burimi i informacionit ishte vetë Shefi i Shërbimit Sekret të Perusë. Ai e përdorte gazetarin për interesat e tij pikërisht si një paçavër për të larë njollat e errëta përkundër pagesave. Në hapin e parë të pavarur të gazetarit, ai gjendet i vrarë buzë një rruge në lagjen “Pesë Qoshet”. 

Lorenci nuk ka rrisqe të tilla dhe e pastë jetën e gjatë. Por, në të mirë të hapësirës publike të komunikimit, Lorenci duhet të braktisë sa më shpejt metoda të tilla. Një servil i një pushteti total, në vitin e 9-të të qeverisjes së tij, ta shpif edhe me prezencën e tij në studio lëre pastaj me cinizmin, shantazhin, përtalljen, gjuhën fyese e kërcënuese. KJo është e palejueshme. Ai është sot një kopje ekzakte e Fahri Balliut të viteve 95. Sa për të krijuar një ide për veten ai.

 Në këtë vend janë 800 mijë njerëz kundërshtarë të shprehur të Kryeministrit në fuqi, të denigruar prej tij, të papunë, të varfër, të sëmurë, plot halle. Ata të paktën nuk duhet të tallen në ndjeshmëritë e tyre politike duke ua nxjerrë Lorencin përpara. Boll kanë hallet e tyre.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *