Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se vjedhjet e tyre arrijnë në shifra deri në 1.2 miliardë euro.

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se Ballukut i janë gjetur pasuri të mëdha, përfshirë 300 apartamente dhe 14 supermarkete, ndërsa e cilësoi situatën si një nivel grabitjeje që, sipas tij, tejkalon edhe diktatorët afrikanë.

Duke iu referuar dosjes së AKSHI-t, kreu i PD-së u shpreh se ky institucion ishte kthyer në “kopshtin privat” të kryeministrit Edi Rama. Sipas Berishës, “lulet e këtij kopshti” ujiteshin nga Linda e Surrelit, ndërsa “kopshtari” ishte baxhanaku i kryeministrit.

“Edi Rama pa dorëzuar veten e vet nuk dorëzon Lubi Ballukun. Siç keni dëgjuar nga dosja e plotë, dëmi dhe vjedhjet shkojnë në 1.2 miliardë euro vetëm në këto dosje. Aty hajduti i parë është Edi Rama,” deklaroi Berisha.

Ai shtoi se krahas këtyre, ka dalë edhe dosja që lidhet me baxhanakun e Ramës, të cilën e quajti “dosja e kopshtit privat të Edi Ramës apo AKSHI-t”.

“Lulet e atij kopshti i ujiste Linda, jo Linda e AKSHI-t, por ajo e Surrelit. Kopshtari i atij kopshti ishte Frangu, baxhanaku i Edi Ramës. Në atë kopsht shtetëror ishin marrë tre pengje dhe ndoshta gjëra të tjera shumë të mëdha mund të dalin,” u shpreh Berisha.

Sipas tij, kryeministri Rama është i vetëdijshëm se mbi të rëndojnë krime me përmasa shumë të mëdha, që sipas Berishës “dalin jashtë çdo parashikimi”.

“Nëse Lubisë i janë gjetur 300 apartamente, 14 supermarkete e të tjera, ju garantoj se ato të Ramës janë 8 deri në 10 herë më të mëdha se këto të Lubisë. Pra, kemi të bëjmë me këtë situatë,” përfundoi Berisha.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *