Publicisti Fatos Lubonja tha në “Open” në News 24 se drejtësia vijon të mos tregojë shenja se ka fituar pavarësinë nga politika dhe ndikimet e mafias.
Sipas tij, aferat e fundit korruptive në bashkinë e Tiranës ishin flagrante dhe mosrrestimi i drejtuesit të saj ishin provë e qartë se SPAK-u nuk është i pavarur.
“Ne nuk dimë shumë gjëra se çfarë ndodhin dhe ndërtojmë hamendje. Ne mendojmë se SPAK po vepron me regji. Falcone thotë se mafia ka një fillim dhe një fund. Unë besoj se këta e dinë se çfarë po bëjnë. Që kjo është punë mafie shtetërore nuk kam dyshim. Sesi vjen fundi i aventurierit nuk dihet asnjëherë. Ne sot duhet ta kuptojmë Veliajn. Ky që është brez tjetër është më i korruptuar se ata që quheshin “enveristë”.
Të shikosh drejtorët janë pak a shumë brezi i Veliaj, të vjen keq që ky brez është më katastrofik. Është si ajo historia që nëna i tha djalit që kaq munda të të lë pas, të lashë mësime të mira dhe djali i tha të më kishe lënë pasuri më mirë. Unë vazhdoj të mendoj se SPAK është nën kontroll. Nëse SPAK do të ishte i pavarur, Veliaj duhet të ishte arrestuar dhe duhej të kontrollohej dhe prona e këtyre.” – tha Lubonja