Një përplasje e ashpër verbale ka shpërthyer mes dy figurave më të fuqishme në botën e biznesit dhe politikës amerikane – Elon Mask dhe Donald Tramp. Dikur aleatë, sot në dy skaje të kundërta të një lufte që po bëhet gjithnjë e më personale.

Gjithçka nisi kur Elon Mask kritikoi publikisht politikën fiskale të republikanëve dhe paketën e taksave të promovuar nga Trampi. Presidenti amerikan, i njohur për përgjigjet e tij të drejtpërdrejta, nuk vonoi të hakmerret. Ai propozoi që qeveria amerikane të ndërpresë kontratat dhe subvencionet për kompanitë e Maskut – një goditje e rëndë ndaj “Spejs Eks”-it dhe “Teslës”, të cilat kanë përfituar prej vitesh mbështetje nga shteti.

Por përgjigja e miliarderit nuk ishte thjesht ekonomike.

Përmes një postimi në rrjetin social “X” (ish-Twitter), Mask shkroi:

“Koha për të hedhur bombën e madhe: Donald Tramp është në dosjet e Epstinit. Kjo është arsyeja e vërtetë pse ato nuk janë bërë publike. Kalofsh mirë.”

Xhefri Epstin përkrah Donald Tramp

Ky koment tronditës i referohet dosjeve të famshme të Xhefri Epstinit – financierit të ndjerë që u akuzua për trafikim seksual të vajzave të mitura dhe drejtimin e një rrjeti të gjerë abuzimi që përfshinte figura me ndikim në politikë, biznes dhe media. Dokumentet përmbajnë dëshmi gjyqësore, lista emrash dhe lidhje të mundshme me personalitete të njohura – por shumë prej tyre mbeten ende të pa publikuara.

Deklarata e Maskut vjen si një akuzë e rëndë, e cila mund të hapë një kapitull të ri jo vetëm në marrëdhëniet mes tij dhe Trampit, por edhe në betejën më të gjerë për transparencë dhe drejtësi.

Kjo përplasje e hapur midis një presidenti që kërkon të ruajë kontrollin mbi Partinë Republikane dhe një prej individëve më me ndikim në botën e biznesit dhe opinion publik, mund të ketë pasoja të mëdha.

Për momentin, as Shtëpia e Bardhë dhe as përfaqësuesit e Trampit nuk kanë komentuar mbi deklaratën e Maskut. Megjithatë, burime pranë presidentit e kanë quajtur akuzën “një përpjekje të dëshpëruar për të tërhequr vëmendjen”.

By Editor