Nga Ermal Mulosmani

Prej disa muajsh, për arsye të mjegullta për publikun e gjerë, mes qeverisë dhe televizionit kombëtar Top Channel ka plasur një konflikt i hapur. Ishte një lajm i publikuar fillimisht në portalin online të TCH dhe i kundërshtuar me vendosmëri nga kryeministri Rama ai që shkaktoi habi mes ndjekësve të zhvillimeve politike në vend. Lajmi i publikuar në TCH, referuar burimeve të brendshme të televizionit, pretendonte se hakerat i kishin kërkuar qeverisë shqiptare 30 milionë Euro në bitcoin. Ky lajm, si rrallë herë, ndeshi në reagimin e vendosur dhe kundërshtues të Kryeministrit përmes tre postimeve në Twiter ku binte në sy togfjalëshi: 

“cilado qofshin motivet e kësaj vale shpifjesh haluçinante”.

Ishte mesi i verës, data 20 Korrik, kur ndodhi kjo përplasje. Zhvillimet e mëvonshme treguan që përplasja ishte reale. Top Channel, befas u bë ekrani ku qytetarët po shihnin për herë të parë Shqipërinë tjetër, atë përtej propagandës, lustrës dhe entuziasmit qeveritar. 

Çfarë po ndodhi që ekrani i Përputhjes, Big Brotherit, Rrethkatrorit halucinant, Trotuarit delirant, Lumturisë mëndjempirëse arbanore apo propagandës trushpëlarëse me inceneratorë ultramodernë, inekzistentë, befas, u kthye tek hallet e vërteta të njerëzve, te braktisja e vendit, humbja e shpresës, shkollat e bukura por pa nxënës, shtëpitë pa banorë, listat e borxheve të dyqaneve, çmimet e shtrenjat të naftës dhe tregu oligopol i saj etj etj?!

Çdo ditë që kalonte tregonte se Kryeministri po nervozohej me lajmet e Top Channel. Reagimet ishin tipike duke arritur kulmin kur deklaroi në një Twiter:

“Dizinformim dhe nxitje kundër Qeverisë. Arsyeja : Duan favore të paligjshme!”

Pra, Kryeministri po i lajmëronte shqiptarët “e mësuar gjithmonë me të vërtetën e padeformuar”, se ishte në një shantazh mediatik nga Televizioni Kombëtar Top Channel. Të cilin nuk e denonconte dot në Prokurori pasi kishte hequr dorë nga “denoncimi i mediave”, por “i qahej” popullit duke u deklaruar si “viktima perfekte” e komplotit mediatik që po përbalt imazhin e punëve të bukura të Rilindjes përmes gjysmë të vërtetave dhe aleancës me “çorbën e rublave”. Denoncimi sigurisht do të bëhej sipas mënyrës së Ramës, me leksikun karakteristik përbuzës që na ka mësuar prej vitesh dhe që përfshin togfjalësha si:

Festë tallavaje për ekrane e portale; topat e mediave të baltës, degjenerimi i gjobaxhinjve të ekraneve që tallen me shqiptarët, tituj lajme të rreme në ekrane kombëtare që kanë një mision dizinformim dhe shpifje ndaj qeverisë; njerëz me bisht në vend të gjuhës; kanal/portalet e gjobaxhinjve kundër qeverisë;  fabrikim nga i njëjti kanal për Rilindjen Urbane; maska e medias në fjalë që nuk merr paratë e kërkuara me hir; duke helmuar opinionin publik; zonja si mish për top; hapësira e paanë mediatik në dispozicion të të paudhëve;

Pra, një gjë ishte më se e qartë, Kryeministri nuk e kishte Topin televizionin ku ndihej si në shtëpinë e vet. Largimi i Blushit dhe emërimi i Sokol Ballës e shtyu për një kohë të dytë konfliktin por do të ishte vetëm çështje muajsh. Pronarët e TCH dukeshin të pakënaqur nga sjellja e kryeministrit dhe kishin vendosur të braktisin rolin e tyre propagandues për t’u kthyer në shërbim të publikut. Jo vetëm kaq. Në përpjekje për të shtuar presionin shantazhues ndaj kryeministrit, redaktorët dhe gazetarët shtuan zellin për të prodhuar lajme si ata për të cilët kryeministri mezi pret t’i përgënjeshtrojë.  

Një akt i fortë në këtë drejtim ishte edhe përzënia e editorit të lajmeve dhe moderatorit të emisionit kryesor politik në televizion, Sokol Ballës. Lufta po bëhej publike, e hapur, pa skrupuj. Balla gati sa nuk u lut publikisht për ta mbajtur në punë kur deklaroi me një ton melodramatik se:

 “Unë nuk iki në televizion tjetër, ose më saktë nuk dua të iki asgjëkundi tjetër, pasi e konsideroj Topin si shtëpinë time.

Sigurisht në çdo marrëdhënie njerëzore, marrëdhëniet janë dy palshe, nëse një palë nuk do tjetri duhet të largohet. Në këtë rast pala që do të rrijë jam unë”

Kjo nuk ishte parë ndonjëherë. Të përdoret ekrani i televizionit, pjesa që të është dhënë në mirëbesim për emision politik,  për të zgjidhur hallet personale që të kanë zënë me pronarin, kjo është një tregues i pastër abuzimi dhe fliste për një nënshtrim publik, pa kushte, të gazetarit. 

Ishte stili i kryeminstrit, qaramani publike dhe viktimizim. Por nëse kryeministri ka gjithë të drejtën për të reaguar pasi është kryeministër me një përgjegjësi të madhe publike, hallet e Sokolit mbesin brenda derës së shtëpisë së tij ose mund të flasë për to në një ditë kur dikush e fton për të tilla gjëra…Por kurrsesi të vjedhësh kohën dhe ekranin që të është dhënë për tjetër gjë…

Pronarët e flakën nga puna dhe në emisionin e radhës gazetari Balla nuk u pa më. Megjithëse televizioni mbeti pa moderator politik për një kohë të gjatë. Çka tregonte se lufta po futej në një fazë të re…

********

A është parimore kjo luftë e shpallur?! Padyshim që jo. Është i njëjti TCH që kishte për department kryesor atë të Lumturisë ku dashuria, lotët dhe të qeshurat, melodrama dhe komedia mbizotëronin. Ishte ai televizion që bënte propagandë qeveritare dhe lustronte realitetin, që sulmonte kryetarin e opozitës si bashkëpunëtor të serbëve, pak para zgjedhjeve të përgjithshme. Ai ishte torta dhe qershia mbi të e pushtetit mediatik të Kryeministrit, ishte media që ambasada amerikane e akuzonte si gjobvënëse . 

A e dinte Kryeministri denoncimin e bërë nga Shefi i Mardhënieve me Median të Ambasadës Amerikane në Prillin 2019 kur tha:

 “Çdo takim ditor editorial në Shqipëri duhet të fillojë me pyetjen “Cila është historia qe duhet të tregojmë?” dhe jo “Kujt do t’i vihemi nga pas sot? Lajmet duhet të përqendrohen tek e vërteta, dhe jo si mund të përdoret forca e shtypit si një armë kundër një person, biznesi, apo një partie politike”

Ishte koha e përplasjes së madhe me kompaninë CFO Pharma, ku prodhoheshin emisione dhe lajme të përditshme, ndoshta edhe me të drejtë, nga gazetarë të TCH që na lajmëronin për ilaçe të skaduara që shiteshin qindra herë më shtrenjtë sesa bliheshin. Nadir Çausholli, lideri i kësaj kompanie arriti deri aty sa inskenoi një letër anonime diversive, që u kap nga syri vigjilent i topchanelistëve. Të gjithë i mbajmë mend denoncimet publike të Soludaminës dhe identikitin “kriminal” të liderit të  CFO Pharmës, Nadirit të famshëm. Kur ishim gati të besonim se njëri prej të dyve, ose Nadiri ose Blushi do të shkonin në burg, ndodhi e pabesueshmja: palët u ridashuruan, reklamat u rikthyen siç ishin, CFO Pharma u rikthye me slloganin “I kam gjithmonë me vete”.

Pra, kur Kryeministri thotë që Topi është shantazhues dhe thotë gjysmë të vërteta, mua më duket i besueshëm.

Problemi është pse Kryeministri nuk ndërhynte kur valët publike të TCH përdoreshin haptas për shantazhimin e një biznesmeni? Nëse ishin të vërteta sulmet e TCH, çfarë ndodhi që sot ai biznesmen është rikthyer lider i farmaceutikës dhe i reklamave në Top?! Pse nuk pati një reagim në rrjetet sociale kryeministri atëherë kur Ambasada Amerikane sulmoi hapur median kryesore në vend si gjobvënëse?

Përgjigja është e thjeshtë. Në atë kohë i shantazhuari ishte një tjetër jo kryeministri dhe qeveria. Për të tjerët TCH kishte fushë veprimi. Ishte si puna e asaj deklaratës së famshme të kryeministrit për kriminelët “Kokat hëngshin”! Por kur viktimë e shantazhit të kthehet kryeministri, atëherë hakmarrja është e pashembullt! Goditja duhet të jetë e fortë, e pamëshirshme, kapitulluese! Që askujt të mos i shkojë mendja më për kryengritje apo shantazh.

Tritoli ndaj Prestige Resort është një vendim përbuzës, përçmues, hakmarrës, putinian ndaj çdo kundërshtari. I përzgjedhuri është një person që e kishte ndërtuar perandorinë e biznesit të tij me të njëjtat metoda: Nënshtrim, lëpirje dhe servilosje kur shteti i vinte sipas avazit dhe shantazh mediatik kur shteti nuk i plotësonte kërkesat. Ai ishte mjaft i studiuar si rast nga Rama. Publiku do të ndahej me logjikën e Ramës: “Kokat hëngshin”. Por sipas kësaj logjike, Rama do t’i hajë të gjithë, një e nga një, ai është koka më e fortë, mjafton të përçajë kundërshtarët… Siç i ka përçarë.

Kur Rama u ndie aq i fortë sa mos pyeste më për shantazhin e Fanes – pronarit të Resortit por edhe të Gazetës Panorama dhe News 24- dhe ndjeu se publiku nuk do ta çante kokën për këtë servil, atëherë përdori shkopin. Dhe i ra fort, drejt e në kokë e pa mëshirë!  

Përmes Fanes ai shprehu gjithë mllefin e akumuluar për daljen nga dora të një pjese të medias – pushtetit të tij të preferuar! Ai zgjodhi të hedhë në erë –për hir të së vërtetës – një nga investimet më të bukura në zonën e Golemit, resortin e gjelbëruar, modern e shumë tërheqës. Ai nuk i dha një gjobë të majme shoqëruar me kufizimet në det. Joooo. Nga gjoba do përfitonte shteti, ndoshta miliona dollarë, por jo Rama! Do të fitonte ekonomia e Shqipërisë përmes turizmit por kjo as llogaritet! Ai nuk do të kishte kënaqësinë orgazmike të hedhjes në erë, xhirimit me dronë nga 100 kënde dhe frikës që do të sillte tek kundërshatrët sivëllezër! Tek ai shpërthim kryeministri shihte me sytë e mendjes Vjollcën dhe reagimin e saj! 

Dhe kishte të drejtë. Në lajmet e Top Channel lajmi për hedhjen në erë të Prestige Resort nuk ishte fare, nga fillimi në fund. Ai ishte një lajm i parëndësishëm për pronarët e TCH pavarësisht se ishte më i komentuari për shqiptarët. Apo ndjenë në atë lajm të njëjtën frikë që ndjen kafsha kur sheh në ekran prerjen e kokës së një kafshe tjetër?! Epo nuk është zgjidhje të bësh sikur nuk e sheh. Radha do të vijë edhe ty. 

Top Channel është sot hapur në shërbim të një klani pushteti që lexueshëm është klani i Erion Veliajt. Ai ka zgjedhur të jetë pjesë e luftës së klaneve mes më të fortëve në PS.  Por për këtë do i duhet të bëjë atë që këshillon Peter Pomerantsev në librin e tij për Rusinë: 

“Që të shtysh përpara diçka duhet të jesh një protestues i fuqishëm dhe një makiavelist; një i tillë që vë në përplasje nja klan pushteti me një klan tjetër.”

Një protestues i fuqishëm makiavelsit nuk zgjedh të heshtë kur pushteti masakron sivëllain tënd. Nëse bën ashtu do të vijë shpejt edhe radha jote.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *