Nga Ermal Mulosmani
Sot dhe dje më erdhi nga Partia Demokratike e Bashës ftesë për pjesëmarrje në festën e përvjetorit të RD-së. Ishte ftesë pak më këmbëngulëse se herët e tjera pasi, përveç sms-së në whatsup më bënë edhe dy telefonata.
I falenderova dhe më erdhi mirë, sidomos për telefonatën pas sms-së. Por u thashë që nuk mundem të vij pa u zgjatur.
Me këtë rast po shkruaj se çfarë problemi kam unë me atë grupim.
- E para unë nuk pajtohem me Kryetarin e rizgjedhur të tyre. Lulzim Basha, sipas meje, është po aq e shkuara e politikës shqiptare sa Sali Berisha, Ilir Meta apo Edi Rama. Ai ka dhënë prova se është i dashuruar me Partinë e Kryetarit duke pronësuar, me aq sa kishte mundësi, çdo aset të ish PD -së së parë dhe nuk ka asnjë arsye se pse nuk do ta bëjë sërish. Është i provuar si vendimmarrësi më i dobët politik në historinë botërore me aktin e braktisjes së mandateve. Ai vendim, edhe nëse është bërë me urdhër të Berishës, i rëndon Lulzim Bashës, ai ishte Kryetar. Ai duhet të mbajë përgjegjësi. Prej atij vendimi erdhën ndryshimet Kushtetuese që delegjitimuan koalicionet partiake parazgjedhore dhe i dorëzuan pushtetin Ramës më 2021. Do mjaftonte kaq që ai njeri të humbiste përjetë shansin për të drejtuar një Parti.
Për të më bindur se asgjë nuk ka ndryshuar ndikoi Statuti i ri i Partsë i miratuar pas rizgjedhjes së 10-të të Lulit. Nuk ka vënë asnjë kushtëzim për mandatet e Kryetarit apo objektivat elektorale çka më bind se është e njëjta Parti me të njëjtin Lul të dikurshëm.
- Ajo Parti i ka marrë logon dhe vulën një Partie të vjetër, patriarkale, nepotike, të korruptuar, autoritare, idolatrike, pa ide politike dhe krahinore po të doni! Po, PD është kjo Parti. Fitorja e Sali Berishës në 6 Mars tregoi që “llumi” është shumicë dhe duhet të marrë logon dhe vulën. Ndërtimi i diskurseve sipas së cilës nuk ka rëndësi shumica por e drejta janë të reja në politikën botërore. Mjaft pushtete po i dorëzohen ditë pas dite tendencave autoritare në botë sepse po humbasin parimin e vetëm që njeh politika: shumicën! Është keq ama nuk ka zgjidhje tjetër. Vetëm tek ne kam parë e dëgjuar që mes shumicës dhe të drejtës (apo proçedurës) ka më shumë rëndësi e dyta!
Ju zotërinj keni marrë logon dhe vulën e një Partie të vjetër, të diskredituar, nepotike, folklorike, injorante po të doni dhe ia keni vënë ideve të reja liberale a thua se ju keni qënë gjithmonë ajo Parti. Jo, kjo nuk është e vërtetë. Ajo Parti ka qenë Berisha, militantët e zhurmshëm e harrakatë që bërtisnin “O Sali o hero gjithë Shqipëria ty të do” apo ata që në ditët më të errëta të asaj Partie këndonin si të çmendur “Fatos Nano ka mbaru, ka mbaru, ka mbaru” dhe arrestoheshin në fund të çdo mitingu prej 500 vetësh. Nuk dorëzoheshin, mbanin gjallë shpresën megjithëse Fatos Nano aso kohe ishte në majë të pushtetit dhe tallej me ta. Talleshit edhe ju. Edhe unë. Ata janë PD ja jo ju as unë. Ata nuk kanë logjikë e as llogari por janë shpirti i asaj Partie. Keni qenë edhe ju, sigurisht, aty keni qenë. Bënit llogari e prisnit që turma të rritej e të vinte momenti juaj. Por ju nuk ishit PD ja. Ju ishit përfituesit potencialë, ju bënit llogaritë. Tani i përbuzni pse i shkojnë mbrapa të njëjtit njeri. Sikur kanë ndryshuar ata. Në fakt keni mdryshuar ju. Tani i keni dhënë shkelmin Berishës sepse ju e dini që ju çon drejt greminës. Shumë mirë keni bërë, është normale të mos i shkoni tjetrit në greminë. Por dorëzojini Partinë e pisllëkut se e ka të veten. Ata njerëz duan logon e vjedhur. Do të ishte në të mirën tuaj që një projekt të ri ta filloni me logo të re, vulë të re, lider të rinj. Edhe RD në e tmerrshme duhet t’ia lini atij. Si trashëgimi të një kohe të keqe që uroni të mos kthehet më. - Ligjërimi publik i shumë prej jush, në këto kohë të errëta për jetën e Sali Berishës është një shfaqje ekstaze, lumturimi e pafshehur dhe përtallëse! Kjo është tmerrësisht e pahijshme prej jush! Unë personalisht nuk kam përfituar asnjë post publik nga Sali Berisha apo pushteti i tij qysh nga viti 96. Por kur shoh që ShBA dhe Spak me urdhër të saj, i janë vërsulur pa kompromis e di që as nuk e ndihmoj dot e as nuk e dëmtoj dot. Thjesht shpreh keqardhjen si për çdo njeri 80 vjeç që i ka rënë gjithë kjo fatkeqësi natyrore në kokë. Do më vijë keq edhe për Edi Ramën, Ilir Beqjan, Erion Velinë, Ilir Metën. Sepse nuk gëzohem kur dikush futet në burg. Më erdhi keq edhe për Saimir Tahirin kur e futën në burg. Jo se jam kundër ndëshkueshmërisë, ai që ka gabuar le të shkojë, nuk ka kompromis. Por pa gëzimin tim malinj! Nuk gëzohem dot për pranga e shkatërrim, kështu jam. Prandaj jam i tmerruar me gëzimin morbid dhe ligjërimin tuaj glorifikues ndaj Spakut. Edhe pa atë ligjërim tuajin, Spaku do e fusë në burg Sali Berishën dhe do e dënojë rëndë. Por të paktën ju, përfituesit e pushtetit të tij, hajdutët e vulës dhe Partisë së tij, duhet të heshtni nëse nuk ua bën zemra ta mbroni. Gëzohuni në heshtje, fërkoni duart brenda dyerve të mbyllura, burgoseni gëzimin në qelitë e urrejtjes. Sali Berisha nuk shpëton dot edhe sikur ju të gjithë ta mbroni sot e gjithë ditën poshtë dritares së pallatit të tij. Kështu që atë betejë e keni të fituar.
Ja, për këto arsye nuk shkova dhe nuk do të shkoj në asnjë festë të asaj Partie. Sepse është Parti e re me logo e njerëz të vjetër. Dhe Parti me mllefe të mëdha.