Nga Milaim Nela
Propozimi i Lumir Abdixhikut për qeveri tranzitore me kryeministër “unifikues” për një periudhë 1-vjeçare, apo deri në zgjedhjen e presidentit, duke tentuar të përjashtojë Albin Kurtin si kryeministër, është sa i pakuptueshëm aq edhe absurd!
E para, Lumir Abdixhiku duket se akoma nuk e ka kuptuar që LDK-ja e tij, dikur parti dominuese dhe e padiskutueshme në Kosovë, sot nën udhëheqjen e tij është parti e tretë në vend me mbështetje prej 20% të popullit të Kosovës!
E kjo përgjegjësi, së pari, është e liderit të saj, që jo vetëm nuk reflekton për të parë se ku është problemi i LDK-së, por, ashtu si Lulzim Basha në Shqipëri, sheh ëndrra me kryeministër.
Së dyti, Lumir Abdixhiku nuk e ka kuptuar se partia e parë, me më shumë se dyfishin e partisë së tij, pavarësisht se nuk ka 50% të votave, është Lëvizja Vetëvendosje!
Ju mundi Albini sepse e sulmuat atje ku kishte pikën më të fortë dhe nuk ia nxorët në sipërfaqe pikat e dobëta!
E sulmuat në çështjen e veriut të Kosovës, por populli nuk ha bar, Lumir!
Ata e dinë si ishte veriu kur ishit ju dhe si është sot!
Askush nuk pretendon se atje është zgjidhur çdo gjë, por nuk është si në kohën tuaj!
Të mos e kuptosh këtë, më së paku, është naivitet.
Nuk e sulmuat Albinin duke i kërkuar të mos lejojë asociacionin, por përkundrazi i kërkonit t’i bindej ndërkombëtarëve!
A vërtet menduat se me këtë qasje do t’ju votonte Kosova?
Vërtet!?
Dhe duke qenë kështu, në çdo negociatë të mundshme, nuk mund të negociohet posti i kryeministrit!
Çdo post tjetër apo çështje tjetër mund të negociohet, por jo kryeministri!
Jo, Lumir, jo. E do apo nuk e do ti, e do apo nuk e do LDK apo çdo parti tjetër në Kosovë, e dua apo nuk e dua unë – posti i kryeministrit është i panegociueshëm, dhe atë post votuesi i Kosovës ia ka dhënë Albin Kurtit.
Të jem i sinqertë, kurrë nuk e kam dëgjuar Memli Krasniqin ta kushtëzojë me postin e kryeministrit – dhe kjo është seriozitet politik.
Lumir!
Për LDK-në dhe mbështetësit e saj është fyerje deri në asht që ta shohin liderin e partisë së Ibrahim Rugovës të jargavitet për karrigen e kryeministrit nga pozita e partisë së tretë!
Edhe sikur të ta afronte Albin Kurti postin e kryeministrit, ti kurrë nuk duhet ta pranoje, sepse thjesht nuk të takon!
LDK është katandisur parti e tretë, Lumir!
Jep dorëheqje të parevokueshme!
Jo sot – që është tepër vonë – por këtë duhet ta kishe bërë më 10 shkurt!
Ti nuk e ngre dot atë parti në lavdinë që e meriton!
Nuk ke asnjë gjasë!
Nuk mundet që një lider që i bën ftesa dhe konak vëllait të Vuçiqit, Edvin Ramës, të ketë moral politik dhe të marrë votat e popullit të Kosovës! Jo, kurrë!
LDK nuk mund të bashkëpunojë me pinjollët e partisë së Miladinit dhe Dushanit, Lumir!
A e kupton, Lumir!?
Edi Rama nuk është kryeministri i Shqipërisë, Lumir, por kryeministri më i mirë që ka pasur Serbia që nga Nikolla Pashiqi!
E kanë thënë gjermanët këtë, Lumir, e jo unë!
Ik, Lumir!
Sepse ti nuk ke brumë për lider!
Lider ose je, ose nuk je!
Ti je i provuar që nuk je!
Ik e largohu, bashkë me soroistët e tjerë nga Lidhja Demokratike e Kosovës!
LDK është parti e tretë, Lumir!
Nëse nuk e di, le të vijë dikush dhe të ta sjellë rezultatin!
Pesë vjet në opozitë, ke arritur asgjë dhe je askund!
Ke pasur kohë mëse të mjaftueshme për ta ngritur atë parti dhe nuk ke bërë asgjë, aq sa kushdo që ka udhëhequr LDK-në para teje ka bërë më mirë se ti!
LDK ka nevojë për burra dhe gra me personalitet e integritet, të cilat sot duken si virtyte të largëta të së kaluarës!
LDK ka dy opsione:
– ose të ndërrojë emrin dhe të distancohet nga trashëgimia rugoviane
– ose të të ndërrojë ty, Lumir!
Rrugë të mesme nuk ka.