Nga Daut Dauti
Gjyshja ime, sikur të gjitha moshataret e saja, ka qenë religjioze. Ajo nuk e paramendonte këtë botë, e as botën tjetër, pa prezencën e Zotit. Për të gjithë ne, ajo ka qenë kujdestare. Madje, edhe në sofër që kur t’ia nisnim bukës, të thoshim ‘bismilah’ dhe kur e kryenim ‘Allah fale’.
Ramazani për gjyshen ka qenë festival. Gjatë këtij muaji, ajo mundohej ta siguronte ushqimin më të mirë dhe të komandonte disiplinë në sjelljet tona deri te fakti se si duhet të hanim bukë; as shpejt e as ngadalë.
Për shumë arsye ajo tregonte kujdes të madh për mua. Gjyshja ishte e bindur se unë e kisha trashëguar pamjen dhe karakterin e gjyshit tim, pra burrit të saj. Prandaj, ekzistonte një lidhje pothuaj hyjnore dhe shumicën e kohës së fëmijërisë së hershme e kam kaluar me të. Bota e saj ka qenë tërësisht ndryshe nga ajo që më imponohej jashtë shtëpisë, sidomos në shkollë. Jeta e kishte bërë të tillë. Dita më e zezë e saj ka qenë kur “shkiet” ia kishin vra burrin. Kjo ka ndodhur gjatë vitit 1944 kur shqiptarët e mbronin kufirin te hekurudha Preshevë – Bujanoc. Dita e dytë e vështirë ka qenë kur pas luftës ‘shkiet’ ia kishin hequr perqen. Ende e barte hiramin e zi, por në kokë e vendoste një shami. Për intervenimet që bënte shteti në jetën tonë, ajo i cilësonte me fjalët: “Po dojnë me na ba shki”.
Këto dy ditë të rënda e kanë përcaktuar jetën e saj. Prandaj, ajo mundohej që edukatën, të cilën e përcillte te ne, t’i përmbante këto dy elemente: Njëra patriotike, tjetra religjioze.
Nuk e di saktësisht se kur e kam mësuar lutjen e parë nga gjyshja, por e di që ende nuk e kisha filluar shkollën. Lutja ka qenë edhe vjersha ime e parë që e kam mësuar përmendësh dhe që do ta recitoja tërë jetën dhe më shumë se të gjitha vjershat tjera që do t’i mësoja në shkollë.
Kur binim në shtrat për të fjetur, ajo drejtohej nga unë dhe kur sigurohej se isha në krah të djathtë, më thoshte më një zë të butë urdhërues: “Thuje”.
Dhe, unë ia nisja:
Bismilahi Rrahmani Rrahim
Rashë n’krah t’djathtë
Me melaqe për ispatë
Me Kuran n’gjyks me iman n’zemër
Allahi ka kuvet me profetin Muhamet
Edhe mu me m’çu n’Xhenet.
Nuk e di nëse dinte edhe lutje tjera shqip. Kur falej, rregullisht pesë vakte, kisha përshtypjen se nuk i dinte mirë të gjitha dovët në arabisht. Por, nuk besoj që kjo gjë është e rëndëshme karshi vendosmërisë dhe karakterit të saj te hekurt e të drejtë që kishte për këtë botë dhe tjetrën.