Nga Elvis Hoxha
Ndodhi edhe takimi i tretë i dashur i Macronit me Vuçiçin.
Si zakonisht Macroni harroi atë pjesë historie që e ka lexuar vetëm në libra.
Macroni
Harroi se nuk ka demokraci në Serbi.
Harroi se Vuçiçi dhe sistemi i tij u gjykuan për grabitjen më të lartë të votave ndonjëherë në Serbi.
Harroi se Serbia është shteti i vetëm që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë së Putinit. Harroi se Daçiçi ishte së fundmi në një takim të ngushtë e të dashur me Pavlovin.
Harroi se Vuçiçi është dishepulli i Sheshelit. Harroi se Dodiku është i dërguari i Vuçiçit dhe Putinit për shkatërrimin e Bosnje Herzegovinës.
Harroi se Serbia dhe Rusia kanë nënshkruar marrëveshjen e koordinimit në politikën e jashtme.
Harroi se Serbia shkel çdo në çdo hap të saj zotimet për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.
Harroi se Serbia po bën të gjitha përpjekjet për destabilizimin e një shteti të NATO-s, si Mali i Zi.
Harroi se gazi dhe informacioni në Serbi vijnë nga Rusia.
Harroi se Serbia nuk mund t’i shërbejë Francës më shumë se Rusisë.
Sa për sy e faqe Macroni përmendi Banjskën. Ai e barazoi me heqjen e dinarit nga Banka Qendrore e Kosovës.
Por Macroni harroi para se gjithash se Ballkani do të mbetet fuçi baruti për faj të sjellljeve të fuqive si Franca.
Ai harroi edhe një gjë tjetër. Nëse ndodh që Franca i shet avionë lufte Serbisë, në një të ardhme të afërt NATO dhe Franca do të luftojnë kundër avionëve të Francës.