Takim i shkurtër me anëtarin e ansamblit vokalo-instrumental MAK të Mitrovicës, Haki Misinin

Grupi i muzikës argëtuese MAK nga Mitrovica po afirmohet gjithnjë e më tepër. Ky grup, me një vit e gjysmë aktivitet, po fiton shumë simpatizues dhe po pritet me interesim të madh nga publiku i ri. Këtë e dëshmon fakti se shumica e interpretimeve të tij kanë qenë “hiti i javës” në programin e dytë të Radio Prishtinës, duke mos mbetur prapa as në programin e parë.

Lidhur me suksesin e këtij grupi zhvilluam një bisedë të shkurtër me solistin Haki Misini, zërin e të cilit dëgjuesit e njohin nga këngë të popullarizuara si: Karolina, Ma nep dorën, Çoko-çokolina, Angjelina, Mos na shqetsoni dashurinë dhe shumë të tjera, që e afirmuan atë që në hapat e parë të karrierës. Ai filloi të këndojë publikisht si fëmijë dhe u përkrah nga rrethi i tij. Më vonë nisi të afirmohet edhe më shumë, duke fituar vendin e parë në festivalin e të rinjve Zëri i artë, që organizohej në Mitrovicë. Prej atëherë nuk iu nda këngës.

Duke kënduar nëpër grupe të ndryshme, hasi në talentë të muzikës argëtuese dhe së bashku formuan grupin MAK. Ky grup, i përbërë nga Xhevdet Gashi (kompozitor dhe interpretues në organo), Haki Misini (solist vokal), Sedat Jusufi (solo kitarist), Haki Bajraktari (bas kitarist) dhe Mehmet Tupella (bateri), brenda një kohe të shkurtër arriti suksese të dukshme.

— Që në fillim — thotë Hakiu — korrëm sukses. Pa u bërë një muaj, në festivalin Rinia këndon zumë vendin e parë me kompozimet Mustafa Bakia dhe Po na shkonte plaku. Pas kësaj, sukseset, kompozimet, inçizimet dhe koncertet publike u rritën. Janë shumë kompozime të frymëzuara nga melosi popullor, të kompozuara nga Xhevdet Gashi dhe të interpretuara nga grupi MAK, si: Leskoviku, Po na shkonte plaku, Ndarja e pafjalë (që na solli shpërblimin e tretë të jurisë në Akordet ’75), Engjujt e lirisë, Brigadierët e parë, Moj e mira te pojata, Tri gota etj. Inçizimet në RTP u bënë hit, prandaj kjo na motivon të punojmë edhe më shumë.

Ishim mjaft optimistë edhe para Akordeve ’76, dhe ky optimizëm u kurorëzua me sukses kur juria profesionale i dha shpërblimin e parë kompozimit Dashuria e parë, të interpretuar nga grupi MAK, me tekst të Refik Serçës dhe muzikë të Xhevdet Gashit.

Në fund, solisti Haki Misini thekson se grupi synon të korrë suksese edhe më të mëdha. Ata kanë shumë oferta për inçizime dhe janë të gatshëm të angazhohen edhe më tej në këtë drejtim.

(Rilindja, e enjte, 6 janar 1977)

Haki Misini mbetet një nga zërat më të mirë të muzikës rok në Kosovën e viteve ’70. Ai u vra më 10 qershor 1999 nga forcat serbe, vetëm pak orë para se të nënshkruhej marrëveshja për bombardimet e NATO-s.

Në atë kohë, Misini vepronte ende në grupin MAK, ku edhe një tjetër anëtar i grupit, Mehmet Tupella, u vra gjatë luftës. Trupi i Haki Misinit dhe i disa personave të tjerë u gjetën në vitin 2005 në Suhodoll të Mitrovicës.

Grupi rok MAK u formua në vitin 1973 dhe funksionoi deri në vitin 1978. Anëtarët e tij ishin: Haki Misini, Mehmet Tupella, Rexhep Ismajli-Bulli, Halil Bajraktari, Sedat Isufi dhe Xhevdet Gashi.

MAK konsiderohet si një nga pionierët e rokut në Kosovë dhe ka merita të mëdha për popullarizimin e këtij zhanri muzikor në vend.

Përgatiti: Agim Morina

By Editor