Nga Enver Bytyçi
Ambasadori Richard Grennell ka shkruar sot rreth pjesëmarrjes së Albin Kurtit në Konventen e zgjedhjes së Kamala Harris si kandidate e demokratëve për presidente të SHBA-ve dhe ka thënë se “Përkrahja e Harris nga ana e Kurtit nuk e ndihëmon popullin e Kosovës”! Vini re: “popullin e Kosovës”, shkruan Grennell. Nuk thotë shtetin, madje as Kosovën, por popullin e Kosovës. Nëse e keni vënë re retorikën e Vuçiq, Edi Ramës, analistëve në TV shqiptare pranë kryeministrit të Shqipërisë dhe presidentit të Serbisë, të gjithë këta, në vend të termit shteti i Kosovës përdorin termin populli i Kosovës, e shumta përmendin emrin Kosova. Ka mbet që analistët shqiptarë pro Ramës dhe pro-Serbisë të përdorin nocionin serb kolonizues “Kosovo-Metohi”! E nuk duhet të çuditemi se një ditë do të ndodhë edhe kjo, derisa ndodh që gazetari shqiptar i sportit në TVSH, Ervin Baku, të shfaqet në një ekran tjetër televiziv me bluzë me flamurin e Serbisë.
Duhet të kuptohemi: – Askush nga ne nuk ka asgjë me flamurin e Serbisë dhe të asnjë vendi tjetër në botë, derisa Shqipëria këto shtete i njeh ndërkombëtarisht. Por derisa flamuri shqiptar dhe ai i Kosovës digjen e përdhunohen në fushat sportive të Serbisë e jashtë saj nga serbët, derisa flamujt e dy shteteve tona fyhen dhe mallkohen nga Serbia e serbët, atëherë një gjest i tillë i gazetarit sportiv të TVSH-së është jo vetëm i dënueshëm. Ai gjest është provokim për ndjenjat e të gjithë shqiptarëve pa përjashtim.
Megjithatë nuk është bluza e Ervin Bakut më e rrezikshme se zëvendësimi i shtetit me fjalën popull. Terminologjia “popull” shpreh status të papërcaktuar për banorët e një territori të caktuar. Mund të jesh popull, por pa shtet nuk mund të jesh komb. Kjo do të thotë se të gjithë ata që zevendësojnë fjalën shteti i Kosovës, brenda të cilit përfshihet edhe populli, pra qytetari i Kosovës, me fjalën “populli i Kosovës”, parapërgatisin revokimin e pavarësisë dhe të shtetësisë së saj. I ndjeri president historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, që prej vitit 1991 kur u bë referendumi e deri sa vdiq iu referuar termit “Pavarësia e Kosovës” pa ndërprerje nga mëngjesi deri në mbrëmje. Qëllimi i tij ishte që opinioni publik dhe ai politiko-diplomatik të mësohej me këtë term në veshët e tij dhe të mos u duket si diçka e paarsyeshme dhe e pamundur pavarësia e Kosovës.
Me këtë metodë didaktike Rugova u mësoi ndërkombëtarëve të vërtetën e domosdoshme për Kosovën dhe nevojën që ajo të jetë e pavarur e sovrane. Por në invers me Rugovën punojnë sot shumë prej atyre që emrin e tij e mbajnë në gojë, thjesht për të maskuar veprimtarinë e tyre anti-shqiptare, përfshirë këtu kryeministrin e Shqipërisë, i cili u shfaq shkurtin e shkuar si mik i madh i LDK-së. Kësisoj, në stilin e Rugovës, Rama, Grenell, disa analistë dhe disa diplomatë në Bruksel dhe Uashington prej kohësh kanë hequr dorë të shprehen për shtetësinë e Kosovës. Deri aty sa edhe hapjen e një ure e konsiderojnë qëndrim e vendim të njëanshmëm, nëse e hap atë qeveria e Kosovës. Shpesh herë flasin jo për qeverinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës, por me termin “Autoritetet e Kosovës”, një term ky që sërishmi krijon mundësi interpretimi se “shteti i Kosovës nuk ekziston”! Madje shtatorin e vitit të kaluar Edi Rama foli për “tokë të askujt”! Që do të thotë se nocioni popull i përdorur shpesh përgatit ndarjen e Kosovës dhe shuarjen e shtetit të saj!
Përdorimi i termave të caktuara si këto që përmenda më lart janë pra paradhoma e refuzimit të pavarësisë së Kosovës. Dhe ne shohim se kjo retorikë shkon në të njëjtën linjë me qëndrimet konkrete të disa faktorëve ndërkombëtarë lidhur me statusin e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur. Dykuptimësia është ajo që po përdoret më së shumti. P.sh “Kosova ka të drejtë të zbatojë ligjet dhe kushtetutën e saj në të gjithë territorin”, thonë disa. Por kur vjen puna te zbatimi i kushtetutës dhe këtyre ligjeve, thonë se “Nuk duhet kryer veprime të njëanshme”, “Duhen diskutuar vendimet e rendit të brendshëm të saj në Bruksel” e kështu me radhë. Dmth duhen zbatuar ligjet e kushtetuta në Kosovë, por me lejen e Aleksandër Vuçiq!!!
Megjithatë, nëse dikush dëshiron të dallojë se kush e njeh praktikisht e kush jo, kush e dëshiron pavarësinë e Kosovës e kush jo, atëherë mund të ndiqni statuset e personaliteteve që shkruajnë për Kosovën, ose fjalimet që ata mbajnë për të. Nëse në këto statuse dhe fjalime shihni se shteti zevendësohet me fjalën popull, ose që institucionet e Republikës me termin autoritetet e Kosovës, ose të Prishtinës, dijeni se këto personalitete punojnë praktikisht kundër shtetësisë së Kosovës. Eshtë metodë shumë e thjeshtë. Lexojini me vëmendje statuset ose dëgjojini me vëmendje fjalimet dhe do ta gjeni të vërtetën tuaj.