Kosova është gjendur vazhdimisht përballë kërcënimeve dhe veprimeve destabilizuese të ardhura nga Serbia, që nga sulmi terrorist në Banjskë në vitin 2023, akti kriminal në Kanalin e Ibër-Lepencit, deri te përpjekjet e përsëritura për cenimin e rendit kushtetues dhe sovranitetit të vendit.

Në një intervistë për RTK-në, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, deklaroi se Serbia vazhdon të ndjekë të njëjtën politikë agresive të së kaluarës, por theksoi se Kosova sot ka ndërtuar kapacitete të mjaftueshme për t’u përballur me çdo rrezik të mundshëm. Ai nënvizoi se institucionet e sigurisë janë të përgatitura për çdo situatë dhe për çfarëdo kërcënimi, pavarësisht origjinës së tij.

Maqedonci përmendi si shembuj sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, të kryer nga një formacion paraushtarak i mbështetur nga Beogradi, si dhe aktin kriminal në Kanalin e Ibër-Lepencit në vitin 2024, të cilat synuan destabilizimin e vendit dhe minimin e rendit kushtetues.

Sipas tij, Kosova nuk e ndërton forcën e saj mbrojtëse duke u bazuar vetëm në kapacitetet e Serbisë, por në një qasje më të gjerë që synon mbrojtjen e territorit, qytetarëve dhe kontributin për paqe e siguri në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë. Në këtë kuadër, ai paralajmëroi se gjatë vitit 2026 pritet të përmbyllet procesi i blerjes së helikopterëve “Black Hawk”, në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes procedurave shtet më shtet.

Ministri theksoi gjithashtu se Kosova ka zgjedhur konceptin e Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse, të marrë si model nga disa vende anëtare të NATO-s, i cili nuk parasheh rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, por mbështetet në rezervën vullnetare dhe angazhimin e institucioneve shtetërore.

Në kuadër të planit të tranzicionit, i cili pritet të përfundojë në vitin 2028, Forca e Sigurisë së Kosovës synon të arrijë gjithsej 8.520 pjesëtarë, përfshirë 5.000 ushtarë aktivë, 3.000 rezervistë dhe 520 staf civil.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *