Ministri i Mbrojtjes së Kosovës shkroi në profilin e tij në Facebook se helikopterët do të jenë së shpejti pjesë e logjistikës së FSK-së.
Ejup Maqedonci, i cili pati një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara, thekson se helikopterët “Black Hawk” do të jenë pjesë e një flote ajrore, e cila sapo ka nisur të ndërtohet në funksion të nevojave të sigurisë së vendit.
“Në përmbyllje të vizitës në SHBA, vizitova fabrikën “Sikorsky – Lockheed Martin”, ku prodhohen helikopterë të ndryshëm, ndër të cilët edhe helikopterët Black Hawk, që do t’i kemi në flotën e mbështetjes ajrore të Ushtrisë së Kosovës. Së bashku me Gjeneral Jasharin, takuam menaxhmentin e kësaj kompanie, ku diskutuam për opsionet e përfshirjes së helikopterëve në inventarin e Forcës së Sigurisë së Kosovës,” ka shkruar Maqedonci.