Ministri i Mbrojtjes në detyrë i Kosovës u shpreh se kërcënimi nga Serbia është real, pasi së fundmi Beogradi zyrtar ka vendosur 70% të ushtrisë rreth vijës kufitare me Kosovën.

Ejup Maqedonci shtoi se, në këto rrethana, duhet vëmendje e shtuar nga autoritetet në Kosovë dhe rritje e presionit nga faktori ndërkombëtar ndaj Serbisë.

“Ne i shohim gjithmonë si të mundshme këto kërcënime. Ne e shohim gjithmonë të mundshme që Serbia, në një moment, mund të ndërmarrë veprime për të destabilizuar rajonin. Kjo është edhe arsyeja pse ne jemi të përkushtuar që të ndërtojmë një forcë ushtarake të aftë për të mbrojtur territorin e Kosovës, për të mbrojtur jetën e qytetarëve tanë dhe për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin në botë, duke përqafuar gjithmonë vlerat e NATO-s, vlerat perëndimore dhe duke shtyrë përpara interesat që i kemi si vende demokratike.

Ne në vazhdimësi e ngremë si shqetësim prezencën e bazave të përparme operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës. Diku 70% e të gjitha kapaciteteve ushtarake të ushtrisë së Serbisë janë të vendosura në jug të territorit të saj, pra jo larg Republikës së Kosovës. Kësaj duke i shtuar edhe këto 48 baza të përparme, që ne gjithmonë i vlerësojmë si kërcënim,” – tha Maqedonci.

By Editor