Admiruesit e futbollit e mbajnë mend Mark van Bomel si mesfushorin potent të Hollandës, PSV-së, Barcelonës, Bajernit dhe Milanit.
Krahas karrierës së pasur si futbollist, tashmë ai po shkëlqen dhe si trajner.
Sezonin e kaluar ai e shpalli Antverpin kampion të Belgjikës, ndërkohë që këtë sezon mori një arritje historike duke e çuar klubin në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve.
Pjesë e Antverpit është dhe Arbnor Muja, të cilin Van Bomel e kërkoi personalisht ta kishte në ekip.
Sport Ekspres i mori një intervistë teknikut, ku ndër të tjera ai theksoi se kombëtarja shqiptare ka shanse reale të marrë një rezultat pozitiv në përballjen e 7 shtatorit në transfertë ndaj Çekisë.
“Pres një ndeshje intensive, emocionuese mes dy skuadrave më të mira në grup. Çekia nuk ka humbur ende dhe po luan në shtëpi, kështu që në letër mund të jetë pak më shumë favorit. Por mendoj se Shqipëria është sigurisht e aftë që të befasojë dhe të marrë një ose tre pikë në Çeki. Arbnori me shokët e tij e kanë një shembull të mirë nga kjo javë, fituam 1-2 kundër AEK në Athinë. Kështu që tani ndoshta mund të bëjë të njëjtën gjë edhe me Shqipërinë në Çeki.” – u shpreh ai.
Van Bomel nuk i kurseu fjalët e mira as për Arbnor Mujën, afrimin e ri të kombëtares dhe një nga elementet e spikatur te Antverpi i tij.
“Ju e dini që për herë të parë Arbnorin e kam takuar pas dy ndeshjeve që kishim sezonin e shkuar kundër Dritës, në kualifikueset e Konferencë Ligës. Bëmë gjithçka që ta sillnim menjëherë te Antwerp. Mjaftuan vetëm ato dy ndeshje kundër nesh me Dritën që të bindeshim për talentin e tij. Kur erdhi këtu, u përshtat shumë shpejt me grupin dhe ngeli jashtë vetëm për pak për shkak të një dëmtimi. Që nga ajo kohë është zhvilluar shumë dhe është bërë lojtar i vlefshëm për ekipin tonë. Pra nuk u kërkua shumë kohë që ta kuptoja se mund të mbështetesha te Arbnori dhe se është një lojtar i shkëlqyer.
Është një lojtar shumë “i bezdisshëm” për të luajtur kundër tij. Nga njëra anë e shton shumë shpejtësinë dhe bëhet shumë kërcënues nga krahu i tij dhe nga ana tjetër ia vështirëson shumë punën kundërshtarit, kur i afrohet. Është një lojtar skuadre që gjithmonë vendos interesat e ekipit në plan të parë. Mund të them që është një bekim për çdo trajner që të ketë një lojtar të tillë në ekip.” – shtoi tekniku.