Marrëdhëniet mes Vinicius Jr. dhe trajnerit Xabi Alonso janë ftohur ndjeshëm gjatë muajve të fundit, raportoi The Athletic, duke shtuar se sulmuesi brazilian i ka komunikuar drejtuesve të Real Madridit se nuk ka ndërmend të rinovojë kontratën, e vlefshme deri në verën e vitit 2027.
Sipas burimeve, 25-vjeçari e ka shprehur këtë qëndrim gjatë një takimi privat me presidentin Florentino Pérez në fund të muajit të kaluar. Negociatat për kontratën e re kishin nisur që në janar, por u ndërprenë pasi palët nuk ranë dakord për kushtet financiare dhe rolin e lojtarit në skuadër nën drejtimin e Alonsos.
Përplasjet e Vinicious me Alonson u bënë të dukshme pas “El Clásico”-s së 26 tetorit, kur Vinicius reagoi me nervozizëm ndaj zëvendësimit në minutën e 72-të. Ai u largua drejt dhomave të zhveshjes pa e përshëndetur trajnerin. Gjatë takimit me Pérez, sipas The Athletic, lojtari ka përsëritur se aktualisht nuk e sheh të përshtatshëm rinovimin.
Burime pranë lojtarit thonë se pakënaqësia e tij lidhet kryesisht me mënyrën se si ai po trajtohet nga Alonso. Mospajtimet kanë nisur që pas humbjes 4–0 ndaj PSG-së në gjysmëfinalen e Kupës së Botës për Klube më 9 korrik, ndeshje në të cilën Alonso kishte planifikuar të mos e aktivizonte lojtarin nga minuta e parë, por u ndje i detyruar të ndryshonte formacionin pas një dëmtimi të Trent Alexander-Arnold.
Që prej asaj ndeshje, braziliani ka çuar deri në fund vetëm pesë nga 17 ndeshjet e sezonit. Edhe në barazimin 2–2 ndaj Elche-s, ai u la në stol, duke e përforcuar idenë se është larg të qenit titullar i padiskutueshëm.
Nga ana tjetër, Alonso ka theksuar se rotacioni është i domosdoshëm për shkak të kalendarit të ngjeshur. Vinicius aktualisht përfiton rreth 18 milionë euro neto në sezon, ndërsa oferta e re e Madridit kapte shifrat prej 20 milionë eurosh. Përfaqësuesit e lojtarit kanë kërkuar një një kontrarë me vlerë rreth 30 milionë eurosh. Këto kërkesa nuk janë pranuar nga klubi duke çuar kështu në pezullimin e bisedimeve.
Ndërkohë, edhe pse Real Madridi kryeson La Ligën nën drejtimin e Alonsos, brenda skuadrës ka sinjale të pakënaqësive nga disa lojtarë me peshë.

