Nga Xhevat Mustafa
Pas nënshkrimit me reklamë dhe jehonë të madhe e fort të amplifikuar më 19 korrik 2024, në Beograd, të marrëveshjes me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Sholz për litiumin, me vlerë disa miliarda euro, presidenti i Serbisë, i dëshmuar qysh nga rinia dhe bashkëqeverisja me Slobodan Milosheviçin si filo rus i flaktë dhe antishqiptar i tërbuar, Aleksandar Vuçiç, arrin një sukses apo fitore tjetër të madhe, jo vetëm politike e jo vetëm për atë individualisht, si president! Po me reklamë të tejfryrë mediatike dhe diplomatike ai firmos brenda një harku kohor as tamam 6 javësh, saktësisht pas 40 ditësh, një marrëveshje për blerje të 12 avionëve ushtarakë të markës “Rafale” e me vlerë në rreth 2.7-3 miliardë euro gjatë vizitës në Beograd më 29- 30 gusht 2024 të presidentit të Francës, Emmanuel Macron! Me këtë marrëveshje me faturë kaq të lartë financiare Franca bëhet një nga vendet aleate parësore apo më me peshë për Serbinë. Pra, mbasi është armatosur deri në dhëmbë me avionë, dronë, raketa, armë artilerie të kalibrave më të rëndë e ndër më modernët nga Rusia “nënë”, nga Kina “motër”, nga Irani…, Serbia do t’i shtojë arsenalit të saj tepër të pasur e të fuqishëm ushtarak edhe këta 12 avionë francezë, me shumë gjasa prodhime të muajve të fundit të vitit 2024 ose të muajve të parë të vitit 2025. Për më tepër nga Franca, një nga vendet themeluese të NATO-s dhe BE-së e me pretendime për të rritur peshën e saj në këto dy unione e përtej tyre! Por, edhe me synimin, bashkëshoqëruar me përpjekje diplomatike e mediatike, për të reklamuar veten si dashamirëse e “tutore” e paanshme edhe ndaj Kosovës dhe Shqipërisë.
Merret me mend se kundër cilëve vende mund t’i përdorë ushtria e Serbisë këta avionë, ndër më modernët dhe të fuqishmit në qiejt e luftrave! Pa fare vramendje e dyshime vetëm kundër armiqve historikë, shqiptarëve, domethënë kundër Kosovës dhe Shqipërisë, edhe për të përmbushur ëndrrën e moçme ruso-serbe për të dalë në brigjet e Adriatikut, mundësisht edhe deri në Durrës e për t’u rikthyer në hartën e Jugosllavisë së parë, të paktën në kufijtë e marsit 1999…!? Nuk mund të mos mendohet se duke e fshehur keq synimin dhe objektivin e parë me interesat financiare dhe ekonomike të kompanisë prodhuese Dassault Aviation dhe të dy vendeve, kjo marrëveshje, që i lumturoi dy presidentët, sa u përqafuan si vëllezër apo si miq të ngushtë, është shprehje dhe dëshmi e re e dashurisë me Serbinë dhe e antishqiptarisë rreth 250 vjeçare nga Franca! Kjo dashuri e vjetër dhe marrëveshje e re franko- serbe, nënkuptueshëm edhe në interes të drejtëpërdrejtë të Rusisë së Vladimir Putinit, shpjegon edhe arsyet e qëndrimit të hapur të njëanshëm, në mbështetje të qeverisë së Serbisë dhe të presioneve dhe masave bllokuese e ndëshkuese ndaj qeverisë së Kosovës, sidomos ndaj kryeministrit Albin Kurti nga qeveria e Francës e personalisht nga Presidenti Macron në Paris, Bruksel, Prishtinë…! Është parë e dëgjuar disa herë, sidomos gjatë viteve 2023 e 2024, se nga goja e vetë presidentit Macron dhe e bashkëpunëtorëve dhe misionarëve të tij diplomatikë, është shprehur pa dorashka favorizimi i Serbisë dhe qëndrimi kritik, deri në nëpërkëmbje të sovranitetit dhe integritetit territorial e shtetëror të Kosovës. Lakuriqësinë e njëanashmërisë të diplomacisë franceze dhe individualisht të Emmanuele Macronit e shpreh edhe kjo deklaratë e tij, kur duke iu referuar Kosovës, kujton dhe përmend vetëm komunitetin serb në Kosovë!
“Donim të ndihmonim rajonin të shmangte lëvizjet e njëanshme, deklaratat e pamata, ngritjen e tensioneve, viktimat kryesore të të cilave janë njerëzit që jetojnë në terren, veçanërisht minoriteti serb në Kosovë. Ajo krijon mundësinë që serbët të jetojnë në Kosovë duke respektuar ligjin, por pa iu cënuar identiteti apo lidhjet e tyre natyrore me Serbinë si dhe është një garanci për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe”. Po kaq trashë apo keq, Franca fsheh edhe garën e kahershme me aleaten e saj më të ngushtë të këtyre rreth 75 viteve, Gjermaninë, për të pasur ndikim sa më të fortë e të shumanshëm në Serbi e Ballkan. Kjo marrëveshje e re franko-serbe, ashtu si ajo gjermano-serbe e 17 korrikut për litiumin, justifikohen në Berlin e Paris, në Bruksel e në Uashington me synimin dhe dëshirën e kotë, fantaziste apo ëndërrrore, për t’ia rrëmbyer Serbinë dhe Aleksandar Vuçiçin, atyre që e mbajnë dhe do ta mbajnë me thonj e dhëmbë, Rusisë dhe Vladimir Putinit nga zemra, mendja, gjoksi, prehri, xhepi…e për ta pasur “anëtare të sinqertë e besnike” në gjirin e BE-së e të NATO-s. Pra, mesazhi apo nënteksti i marrëveshjes franko-serbe të 29 gushtit 2024, zbulohen, kuptohen apo përkthehen lehtësisht nga serbishtja e frëngjishtja: shqiptarë, mos u besoni buzëqeshjeve, përqafimeve, lajkave…franceze, sepse pas tyre do t’u bien mbi kokë predha, flakë, vdekja…edhe nga avionët “Rafale”! Paradoksalisht apo papërgjegjshmërisht, me euforinë e mbrojtjes 100 % apo 1.000% nga ombrella e NATO- s, qeveria shqiptare, ndryshe nga ajo serbe, që armatoset pareshtur dhe pa u kursyer, vazhdon të mbajë një ushtri, që do të na mbrojë nga “armiqtë e jashtëm” 3 herë më të pakët në numër se policia, që do ta mbrojë nga…populli shqiptar!? Për më tepër e më keq, kthen në resorse turistike e artistike edhe Ishullin e Sazanit, edhe Bazën e nëndetseve të Porto Palermos si dhe në qendër rezidence për refugjatë afrikanë bazën e avionëve të Gjadrit…, edhe, edhe…!? Listën e plotë të objekteve strategjike ushtarake e të mbrojtjes së vendit nga toka, deti e qielli hequr nga përdorimi, funksionet dhe misioni, mund ta bëjnë më mirë se unë ushtarakët me grada të larta në forcat tokësore, detare, ajrore, në detyrë ose në pension! Por, këta do të hynin në histori nëse do të kishin BURRËRRINË dhe SHQIPTARINË t’ua linin këtë listë mbi tavolina ose t’ua bënin publike në media Presidentit Bajram Begaj, Kryeministrit Edi Rama, ministrit të mbrojtjes, Pirro Vengu! Përse jo, edhe ish presidentëve, ish kryeministrave, ish ministrave të mbrojtjes të gjallë…, nga 1992 deri më sot!