Nga Arbër Zaimi

Marrëveshja e Ramës me Melonin është edhe ajo një shprehje ekstreme e pafuqisë, e maskuar si bujari, humanizëm, zemërgjerësi e mirënjohje.

Emigrantët e shkretë që do të kapen në det e do të sillen në Shqipëri, do të mbahen aty jashtë dëshirës së tyre, të ndarë nga familjet e tyre, pra do të jenë në një lloj burgu a kampi.

Domethënë, nuk është humanizëm pranimi i tyre, sepse nuk është burgu vendi ku mikpritet me humanizëm, por vendi ku të kufizohen të drejtat.

Kjo marrëveshje nuk është bujari e mirënjohje, sepse nuk ia ka ofruar Shqipëria Italisë, por ia ka kërkuar Italia Shqipërisë. Italia ka kërkuar një marrëveshje të tillë edhe me vendet afrikane veriore por nuk ka gjetur pranim, për shkak edhe të implikimeve të rrezikshme e çnjerëzore që ajo mund të ketë.

Politikanët evropianë ka kohë që përpiqen ta zgjidhin çështjen e emigrantëve, jo duke ndihmuar që të përmirësohen kushtet në vendet nga vijnë emigrantët, por duke i përjashtuar ata – dhe ky është rast i tillë ku Shqipëria katandiset në mjet e vend tranzit të përjashtimit të tyre.

Andaj nuk është ndonjë “gjenialitet” diplomatik kjo që po bën Rama, por një fytyrë dëshpëruese e servilizmit ndërkombëtar – unë pranoj kërkesa sado të padrejta, vetëm merrmëni në Evropë. Kjo qasje ka problemin imediat: sa më servil të jetë dikush ndaj të fuqishmëve, aq më i pamëshirshëm ndaj të pafuqishmëve. Por edhe problemin afatmesëm, sepse kur të vijnë pushtetarë të rinj në Itali a në vende të tjera, ata do të kërkojnë dëshmi të reja servilizmi, askush nuk t’i numëron si ndere servilizmat që ia ke bërë paraardhësit.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *