Përkujtimore

Nga Klodi Stralla

Ky që shihni në këtë foto është – Spiro Jovan Kosturi – djali i madh i patriotit të njohur korçar të Rilindjes tonë kombëtare, Jovan Cico Kosturi, vrarë në Selanik nga qarqe shoviniste greke, si sot – 11 nëntor 1906. Është me veshje të veçantë, që u lejohej vetëm disa të krishterëve me influencë në Perandorinë osmane, për raste ceremoniale.

Historia e Spiros dhe familjes Kosturi është përshkruar me hollësi nga im atë, Niko Stralla, nip nga nëna në familjen Kosturi, në studimin e tij historik – “Korça dhe korçarët në valën e tragjeisë shqiptare (1878-1909)” por, shkurtimisht, do t’u them pak fjalë:

Ati i tij, Jovan Cico Kosturi, së bashku me Orhan Çerçiz Pojani dhe Thimi Markon, ishin tre ideuesit dhe realizuesit e “Komitetit të Fshehtë” që vepronte në kazanë e Korçës, me qëllimin final të hapnin shkollën shqipe, gjë që u realizua në 7 mars 1887. Kjo veprimtari atdhetare binte ndesh me synimet e qarqeve grekofile të qytetit dhe veçanërisht të Kishës të drejtuar nga dhespoti Fotios, një antishqiptar i tërbuar. Në 7 korrik 1906 ai u vra nga komitët shqiparë dhe vrasja e tij iu faturua familjes Kosturi. Ajo u shkishërua publikisht, u mallkua dhe nuk u lejua martesa e djalit të Jovanit, Kristaqit, të kurorëzohej në Mitropolinë e qytetit. Kjo ishte edhe arsya e vrasjes në Selanik të djalit të tij të madh dhe me influencë, në qytet e më gjerë, Spiros, si gjest hakmarrje për vrasjen e dhespotit, Fotios.

Shqiptarizma ka patur në themelet e saj, krahas penes e librit, edhe gjakun e derdhur dhe në këtë aspekt familja Kosturi qëndron në krye të qytetit të Korçës: – Në 29 korrik 1911 u vra në përpjekje me trupat osmane djali tjetër i tij, Kostaq Kosturi, 17 vjeçar (6 dëshmorë e Orman Çifligut) dhe në 5 nëntor 1943 djali tjetër, Idhiomene Kosturi, Kryetari i Parlamentit shqiptar të kohës, nga njësiti komunist i qytetit të Durrësit.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *