Nga Besmir Lushaj
1.
Ahmet Zogu gënjeu popullin e tij kur, më 5 prill 1939, tha në Radio Tirana se do të luftonte. Ai u largua pas dy ditësh, kur Italia sulmoi. Ai nuk u rikthye as kur Britania e Madhe dhe Franca i shpallën luftë Gjermanisë, gjashtë muaj pas pushtimit italian.
2.
Kundër italianëve luftuan nacionalistët. Në ato pak orë rezistence, të drejtuara nga Abaz Kupi dhe Mujo Ulqinaku, nuk pati komunistë të dokumentuar si pjesëmarrës në luftimet e zhvilluara në Durrës, Shkodër, Shëngjin, Vlorë dhe Sarandë.
3.
Ashtu si Zogu në prill, komunistët nuk dolën të luftojnë pushtuesin as në shtator 1939, kur Evropa i shpalli luftë Gjermanisë.
4.
Komunistët bënin sehir edhe në tetor 1940, kur ushtria italiane nga jugu i Shqipërisë nisi mësymjen ndaj Greqisë.
5.
Edhe në prill 1941, kur Greqia theu ushtrinë italiane duke e sulmuar brenda territorit të Shqipërisë, komunistët sërish ishin duke bërë sehir. Sehir bënte edhe Zogu dhe të tijtë.
6.
Vetëm pasi Hitleri sulmoi Bashkimin Sovjetik në qershor 1941, komunistët nisën lëvizjet e para organizative nën drejtimin e emisarëve jugosllavë. Nëse Bashkimi Sovjetik nuk do të sulmohej, ishte e qartë se komunistët do të respektonin çdo aleancë të Stalinit edhe në kurriz të vendit të tyre, siç kishin vepruar për dy vite e gjysmë gjatë pushtimit fashist.
7.
Komunistët nisën sulmet guerrile ndaj italianëve në vitin 1942. Italianët u sulmuan edhe nga formacionet e Ballit Kombëtar. Dokumentet italiane e provojnë këtë.
8.
Italianët u larguan dhe vendi u pushtua nga nazistët pa rezistencë.
Jugosllavët ia dolën, me një strategji të mirëideuar, të prishin Marrëveshjen e Mukjes duke përdorur Enver Hoxhën si vasal të tyre, dhe këtu nis zanafilla e vëllavrasjes.
9.
Ushtarakët britanikë ranë në mosmarrëveshje me krerët e Ballit Kombëtar, të cilët kishin kërkesa politike lidhur me fatin e tyre si komb pas luftës, kërkesa që komunistët nuk i kishin. Britanikët arritën të bindin komunistët për disa aksione guerrile kundër autokolonave gjermane, ndërsa ballistët nuk iu përgjigjën kërkesave, duke parë pozicionimin e hapur britanik në favor të rivendosjes së kufijve të Jugosllavisë, çka do të thoshte rivendosje e sundimit dhe terrorit serb në një pjesë të madhe të trojeve shqiptare.
10.
Josip Broz Tito, me një plan të mirëmenduar, tërhoqi brigadat partizane të Shqipërisë në Kosovë. Forcat partizane hynë në Kosovë në nëntor 1944 dhe u përballën me qëndresë të fortë nga nacionalistët shqiptarë.
Pas largimit të gjermanëve nga Kosova, partizanët shqiptarë nuk shkrepën asnjë pushkë të vetme ndaj pushtuesit sllavo-komunist me doktrinë të qartë antishqiptare. Një pjesë e tyre madje i bashkuan armët me forcat sllave kundër rezistencës shqiptare.
11.
Historiografia jonë zyrtare është fund e krye farsë dhe mashtrim.
