Nga Ermal Mulosmani

Do t’i them edhe dy fjalë për maqedonasin Arbjan Cvetko Mazniku. E dini që është qytetar shqiptar me origjinë maqedonase? Fare pak e dinë. Edhe mua dikush ma tregoi. Pastaj e verifikova nga dokumentacioni. Arbjani ka frikë nga emri i babait të tij. E publikon vetëm kur e ka të domosdoshme. Ka vetëm një vend ku e gjeta: dokumenti i deklarimit të pasurisë.

Unë, po të isha maqedonas, nuk do të kisha kurrfarë problemi me identitetin tim. Ose ashkali, kongolez apo amerikan. Për mua ka rëndësi emri im dhe ajo që unë bëj.

Por Mazniku është karakter hileqar, i fshehtë, intrigant dhe një përfitues batakçi.

Ai kapardiset në studio televizive, flen në hotele me 7 yje me paratë e klientëve të Bashkisë, tërheq edhe pagesën e rimbursimit nga Bashkia, është anëtar i nja 12 bordeve drejtuese ku përfiton mijëra euro pagesë dhe është qenia më pordhace e një pushteti arrogant.

M’u kujtua Kadareja te eseja e njohur “Poshtërimi në Ballkan”. Aty përmenden nja tre raste sesi një komunitet pakicë në Shqipëri akuzonte me zë e me britmë Shqipërinë se i kishte marrë përkatësinë etnike maqedonase Nënë Terezës. Nuk po merrem këtu me pjesën kritike të shkrimtarit ndaj një elite shqiptare që, në emër të një “kinse sipëranie”, nënqeshte dhe gati pohonte të drejtën e minoriteteve për të pasur idenë e tyre për origjinën e Nënës më të famshme në botë.

Por, më ka mbetur në kokë pjesa e fundit ku fliste për pordhacërinë (termi është imi) e një egjiptiani që pretendonte se Shqipëria është “shtet shumëkombësh”.

Aty Kadareja përmend një koncept që më mbeti në mendje:

“Luajalitetin ndaj vendit që u jep strehë dhe popullit midis të cilit jetojnë.”

“Luajaliteti ndaj vendit që u jep strehë dhe i mbron pakicat, njëlloj si shtetasit e vet, është kriteri i parë, i detyrueshëm në çdo demokraci evropiane për këto pakica.” – thotë Kadareja në ligjëratë të drejtë.

Njëfarë sensi mase e kuptova unë luajalitetin e Kadaresë, njëfarë korrektësie përulëse.

Tani të vijmë te Mazniku. Ja në sa borde ka marrë pagesa Mazniku në një çast:

1– Drejtor Administrativ i kompanisë koncesionare “Eco Tirana” me pagë mujore 1500 euro, ku Bashkia ka 51% të aksioneve, ndërsa grupi mafioz “Ndrangheta” ka 49%.

2– Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, me delegim nga kryetari statutor Erjon Veliaj, ku paguhet 1000 euro në muaj.

3– Mbikëqyrës i administrim-likuidimit të kompanisë “TI-VA Sh.a.” me pagë 500 euro; shoqëri prodhim-shitje materialesh ndërtimi, ku bashkia është pronare me 51%, ndërsa 49% i ka firma italiane veroneze “Ital-Tub”.

4– Administrator i përkohshëm i Ndërmarrjes Studentore Nr. 3 Tiranë, me pagesë mujore 600 euro; që prej datës 15.08.2020, pas ndarjes nga jeta të ish-administratorit Ndue Ndoci.

5– Mbikëqyrës për administrim-likuidimin e shoqërisë “SPORT KLUB FARKA”, me pagë mujore 300 euro; e cila është 49% në pronësi të Bashkisë Tiranë, 31% në pronësi të Çim Fushës dhe 20% në pronësi të ish-kryekomunarit të PD-së, Fatbardh Plaku.

6– Zv/kryetar i Bordit të “KLUB-FUTBOLL TIRANA”, ku Bashkia është 34% pronare; si dhe mbikëqyrës i deleguar administrativ prej kryetarit të Bashkisë Tiranë, me pagë mujore 700 euro.

7– Zv/kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Fondacionit Kredi-Biznes-Ndërtime “CRIMSON FINANCE FUND ALBANIA”, me pagë mujore 800 euro, ku Bashkia-Tiranë është pronare me 25%, në ortakëri me Aleksandër Sarapulin dhe kompaninë “Aleat” të pasaportave.

8– Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të kompanisë “TIRANA AGRIKULTURE shpk”, krijuar më 15.07.2020, në pronësi 100% të Bashkisë, por ende pa pagë.

9– Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të kompanisë “TIRANA DC Sh.a.”, krijuar më 28.10.2020; me aktivitet rindërtimi tërmeti, evente kulture, import makinerish, transaksione pronash etj.; në pronësi 100% të bashkisë, ende pa pagë.

10– Emëruar nga kryebashkiaku Veliaj në postin Drejtor i Projekteve të punëve publike që krediton grupi “Abu Dhabi” për Bashkinë-Tiranë; nuk dihet sa e ka pagën mujore.

11– Emëruar në bordet e 4 universiteteve publike të Tiranës, me të drejtë vote, si përfaqësues i pushtetit lokal dhe me pagë mujore nga 200 euro në secilin.

12– Deleguar nga kryetari i Bashkisë Tiranë, Veliaj, si përfaqësues-anëtar bordi në vend të tij në FSHZH, me pagë mujore 600 euro.

Përveç këtyre, ky lubi i korrupsionit ka edhe restorantin “The Home” në bashkëpronësi të bashkëshortes së tij dhe asaj të Endri Fugës – 50 me 50, sipas një investigimi të BIRN-it. Dhe e dini çfarë? Ky restorant “The Home” ka fituar tendera nga Bashkia e Tiranës me vlera deri në 800 mijë euro!

Sepse këta i duan të gjitha! Të gjitha!

Duan edhe diçka nga paga ime, nga paga jote, nga taksa ime, nga taksa jote. Edhe darkat i hanë në restorantin e vet, se mos përfiton ndonjë gjë biznesi. Se këta janë armiqtë më të mëdhenj të biznesit, kasapët e tij. Duan para me trasta, gazeta, qese, banka, borde, restorante, 5D, rroga. Këta janë LUBI-të e vërtetë.

Dhe në fund duan edhe të lajnë duart. Si Ponc Pilati. Në fakt, krahasimi nuk shkon fare, se del Veliaj si Jezu Krishti, por nejse.

Ky kryehajdut sot është drejtuesi socialist i Qarkut të Elbasanit. Bashkë me kolegun Suel Çela është përgjegjës për të dorëzuar te Kreu i Organizatës 8 mandate.

Duhet të divorcohet hapur me beniaminin e tij Erion Veliaj; në një kohë të dytë duhet edhe ta shajë. Si Kadri Hazbiu Mehmet Shehun. Është pjesë e lojës në të cilën kanë hyrë.

Dhe më me qejf se çdo njeri tjetër këtë e bën Maznikovski.

By Editor