Anija e marinës italiane “Libra” u ankorua në portin e Shëngjinit ndërsa prej saj zbritën 16 emigrantët e parë me origjinë nga Egjipti dhe Bangladeshi.
Ky është kontigjenti i parë që mbërrin në kampet e pritjes në Lezhë në bazë të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë të firmosur nga kryeministri Edi Rama dhe homologia italiane Xhorxhia Meloni.

Ky grup u nis me anije nga brigjet e Lampeduzës një ditë më parë, ndërkohë që në vendin tonë iu nënshtruan procedurave të përshpejtuara kufitare.
Të ardhurit do të sistemohen në kampin e Gjadrit.
Në bazë të marrëveshjes Rama-Meloni vendi ynë pritet të strehojë deri në 3000 emigrantë në vit.