Bilanci i viktimave në Iran pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit është rënduar ndjeshëm. Sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA), me seli në SHBA, deri tani janë konfirmuar 1,114 civilë të vrarë që nga fillimi i luftimeve të shtunën.
Nga viktimat, 183 janë fëmijë, shumica nën moshën 10 vjeç, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga organizata të enjten. HRANA bëri të ditur gjithashtu se po verifikon ende më shumë se 900 raste të tjera vdekjesh të raportuara.
Sipas organizatës, disa nga sulmet e 24 orëve të fundit kanë goditur edhe infrastrukturë civile të mbrojtur nga e drejta ndërkombëtare humanitare, përfshirë një shkollë të mesme, si dhe disa objekte dhe klinika mjekësore.
Numri i përgjithshëm i viktimave në këtë konflikt po i afrohet tashmë shifrës së luftës 12-ditore të verës së kaluar mes Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, e cila sipas HRANA-s shkaktoi rreth 1,190 të vdekur në Iran.
Ndërkohë, sulmet hakmarrëse të Teheranit kanë shkaktuar viktima edhe në pjesë të tjera të Lindjes së Mesme. Sipas autoriteteve lokale, dhjetëra persona kanë humbur jetën, mes tyre edhe gjashtë ushtarë amerikanë.

