Gjatë vitit 2025, më shumë se 7 mijë qytetarë në Shqipëri janë diagnostikuar me kancer, ndërsa sëmundjet tumorale vijojnë të renditen të dytat për nga numri i rasteve dhe shkalla e vdekshmërisë, pas patologjive kardiovaskulare. Aktualisht, rreth 16% e vdekjeve në vend lidhen drejtpërdrejt me kancerin.
Të dhënat e përditësuara deri në vitin 2024 tregojnë një rritje të disa llojeve të tumoreve, ku specialistët theksojnë se ndikim të rëndësishëm ka edhe mënyra e jetesës. Tek burrat vërehet shtim i rasteve të kancerit të mushkërive, stomakut, prostatës dhe zorrës së trashë, raportojnë burime mjekësore.
Ndërkohë, tek gratë mbetet dominues kanceri i gjirit, me rreth 800 diagnoza të reja çdo vit. Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” konfirmon gjithashtu një rritje të ndjeshme të shtrimeve dhe trajtimeve për sëmundjet tumorale.
Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, ka deklaruar se forcimi i shërbimeve onkologjike dhe përmirësimi i trajtimit për pacientët me sëmundje të rënda mbetet një nga prioritetet kryesore. Ekspertët paralajmërojnë se, ashtu si në nivel global, edhe në Shqipëri pritet një rritje e mëtejshme e rasteve, e ndikuar kryesisht nga plakja e popullsisë.
Statistikat tregojnë se burrat mbeten më të prekurit, me mbi 3 800 raste të reja gjatë vitit të fundit, ndërsa tek gratë janë regjistruar rreth 3 200 raste të reja.

