Nga Arbër Zaimi
Prej fundviteve ‘70, bashkë me neoliberalizmin, lulëzuan në perëndim edhe televizionet private. Misioni deri atë herë strikt edukues dhe informues i televizionit kaloi prej planit të parë në plan të fundit. Në plan të parë kaloi reklama, dhe prodhimi i programeve që krijojnë varësi tek masat. Ky është hap deciziv në transformimin e qytetarit në konsumator, depolitizimin e tij dhe kolonizimin e dëshirave të tij prej tregut.
Një nga programet më të suksesshme në budallallepsjen e publikut, u bënë të ashtuquajturit filma serialë televizivë. Ekipe skenaristësh e psikologësh që punojnë për të mbajtur mbërthyer para ekranit të vogël mendjen mediokre. Nëse regjisorë të mëdhenj merrnin vepra të mëdha letrare apo skenarë të shkëlqyer dhe i mbyllnin për 2-3 orë në një film, ata të serialeve merrnin histori të dobëta, si ato të librave të dikurshëm bulevardeskë, rozë a të verdhë, dhe i stërzgjasnin pa fund e pa nevojë.
Filmat serialë, nga India në Brazil, nga Turqia në Spanjë, nga Netflix-i te HBO-ja, i ngjajnë politikës neoliberale. Përpiqen ta adresojnë publikun sipas “identitetit”, ka për shtëpiakë, ka për pleq, ka për adoleshentë, ka për ata që ndihen intelektualë, ka për autodidaktë historie, e kështu me radhë. Janë të stërmbushur me personazhe bombastikë në prezantim por të cekët në zhvillim, me përplasje dramatike por jo produktive, me kontradikta të rrejshme dhe me pseudo-ngjarje. Zhgënjim pas zhgënjimi, megjithatë publiku i ndjek, me shpresën mos ka ndonjë kthesë. Në to ka më shumë “deus ex machina” se sa në përrallat e fëmijëve. Dhe ashtu si politika neoliberale, filmat serialë nuk dinë të mbarojnë kurrë, pos nëse falimentojnë ose nëse ndodh katastrofë.
Psh. konsideroni “I soliti ignotti” të 1958, të Monicelli-t, dhe Money Heist të Netflix-it. E para zgjat dy orë dhe është kryevepër, e dyta gërdi sentimentale, që zgjat tre sezone me nga shumë episode secili, një pastiçe grandilokuente me nga pak dhunë, seks, teknologji dhe rockenroll (të panevojshëm nga aspekti i skenarit) sa për të kënaqur mendjet masturbuese masive.
Ja dhe dy profesorët me kasafortat respektive. Nga kasaforta e vockël, del filmi i madh.
Sa i përket paraleles me politikat qeveritare – na duhen të tilla që kanë fillim e mbarim, jo saga reformash e dialogjesh që zgjasin me dekada. Politika që janë të vlerësueshme për atë që sjellin, e jo për kravatat, buzëqeshjet, pompën dhe dukjen.