Nga Orhan Pamuk
Të mbash një libër në xhep ose në çantë, veçanërisht në kohë trishtimi, do të thotë zotërosh një botë tjetër, një botë që mund të të sjellë lumturi. Gjatë rinisë sime të palumtur, mendimi për një libër të tillë, një libër që mezi prisja ta lexoja, ishte ngushëllimi që më ndihmoi gjatë ditëve të shkollës, pasi gogësija aq shumë sa sytë më mbusheshin me lot, kurse më vonë në jetë, kjo më ndihmoi të shtyja deri në fund takimet e mërzitshme ku më duhej të merrja pjesë ngaqë isha i detyruar ose nga dëshira për të mos u treguar i pasjellshëm. Më lejoni të rendit ato arsye që e bëjnë leximin për mua atë që është, jo për shkak të punës apo për të më ngritur moralisht, por për kënaqësi: 1. Është tërheqja ndaj asaj bote tjetër që përmenda më herët. Mund ta shihni si arratisje. Edhe nëse ndodh vetëm në imagjinatën tënde, është sidoqoftë arratisje e mirë nga trishtimi i jetës së përditshme dhe mundësi për të kaluar ca kohë në një botë tjetër. 2. Midis moshës gjashtëmbëdhjetë dhe njëzet e gjashtë vjeç, leximi ishte thelbësor në përpjekjet e mia për të krijuar diçka nga vetja, për t’u bërë më i vetëdijshëm, dhe kësisoj për t’i dhënë formë shpirtit tim. Çfarë njeriu duhej të isha? Cili ishte kuptimi i botës? Sa larg mund të arrinin mendimet, interesat, ëndrrat e mia, tokat që mund të shihja me sytë e mendjes? Ndërsa ndiqja jetën, ëndrrat dhe përsiatjet e të tjerëve në tregimet dhe esetë që shkruanin, e dija se do t’i ruaja ato që lexoja si përjetimet më të thella të kujtesës time dhe kurrë s’do t’i harroja, ashtu si një vogëlush s’harron kurrë çastin kur sheh për herë të parë një pemë, një gjethe, një mace. Me njohuritë që grumbulloja nga leximet, do të përvijoja rrugën time drejt moshës madhore. Duke përqafuar një optimizëm të tillë fëminor për ta krijuar dhe formësuar veten time, leximi gjatë atyre viteve ishte veprimtari e dendur dhe e gjallë e cila ma nxiste fort imagjinatën. Por tani pothuajse nuk lexoj kurrë në këtë mënyrë, dhe mbase kjo është arsyeja pse lexoj shumë më pak. 3. Një tjetër gjë pse leximi më jep kaq shumë kënaqësi është vetëdija. Kur lexojmë, është një pjesë e mendjes tonë që bën qëndresë ndaj zhytjes totale në tekst dhe na lavdëron që kemi marrë përsipër një detyrë kaq të rëndësishme dhe intelektuale: me fjalë të tjera, leximin. Proust-i e kuptoi shumë mirë këtë. Ekziston, ka thënë ai, një pjesë e jona e cila mbetet jashtë tekstit për të soditur tryezën në të cilën jemi ulur, llambën që ndriçon pjatën, kopshtin përreth nesh, ose pamjen më përtej. Kur i vërejmë gjëra të tilla, në të njëjtën kohë po shijojmë vetminë dhe fuqinë e imagjinatës tonë dhe lavdërojmë veten që arrijmë të zotërojmë thellësi më të mëdha se ata që nuk lexojnë. E kuptoj se si një lexues, pa e tepruar, e lavdëron veten, por nuk i duroj shumë ata që vetëlëvdohen me krenari. Kjo është arsyeja pse kur flas për jetën time të leximit, duhet ta them menjëherë: Nëse kënaqësitë që i përshkruaj si 1 dhe 2 ishin kënaqësi që mund t’i gjeja në një film, në televizion apo media të tjera, ndoshta do të lexoja më pak libra. Ndoshta një ditë do të jetë e mundur. Por mendoj se do ta kisha shumë të vështirë. Kjo sepse fjalët (dhe veprat e letërsisë që ato krijojnë) janë si uji apo si milingonat. Asgjë s’mund të depërtojë në të çarat, vrimat dhe zbrazëtitë e padukshme të jetës kaq shpejt dhe kaq plotësisht sa fjalët. Janë këto të çara ku para së gjithash gjendet thelbi i gjërave, gjërat që na bëjnë kureshtar për jetën, për botën, dhe është letërsia e mirë që i zbulon para së gjithash ato. Letërsia e mirë është si një këshillë e mençur që duhet të jepet, dhe si e tillë ajo ka të njëjtën brerorë të nevojës që kemi për lajmet e fundit; kjo është kryesisht arsyeja pse ende varem prej saj. Por mendoj se do të ishte e gabuar të flisnim për këtë kënaqësi, si kundërvënie ose garë me kënaqësinë e shikimit, të të parit. Kjo mund të ndodhë sepse, midis moshës shtatë dhe njëzet e dy vjeç, kam dashur të bëhem piktor dhe i kalova ato vite duke pikturuar në mënyrë të ngulmët. Për mua, të lexosh do të thotë të krijosh versionin tënd të filmit mendor për një tekst. Mund ta ngremë kokën nga faqja për të çlodhur sytë në një foto mbi mur, në një peizazh jashtë dritares ose në pamjen më përtej, por këto gjëra s’hyjnë tek mendja jonë: Ne jemi akoma të pushtuar nga filmimi i botës imagjinare të Librit. Për ts parë botën e imagjinuar nga autori, për ta gjetur lumturinë në atë botë tjetër, duhet të vihet në lëvizje imagjinata. Duke na dhënë përshtypjen se nuk jemi vetëm spektatorë të një bote imagjinare, por deri diku krijuesit e saj, një libër na jep lumturinë e krijuesit të veçuar nga bota. Dhe është kjo lumturi e veçimit që e bën leximin e librave, leximin e veprave të mëdha të letërsisë, kaq ngashënjyes për të gjithë dhe kaq thelbësor për shkrimtarin.
Nga anglishtja: Granit Zela