Nga Arilda Lleshi
Nuk kam folë shumë për shpirtnoren në politikë. Nuk kam ndje që ka qenë najherë momenti. Por në kyt të shtunë, më ngacmoi kjo intervistë e Ramës për Die Zeit, ku Rama, me cekësinë e dikujt që nuk e kupton lirinë, e shpall veten para Europës si një farë disidenti i shtypun gjatë komunizmit. E si mundet me e justifiku ky i privilegjum i Bllokut shtypjen? Thotë “qielli duhej të pikturohej blu.” Kaq mundet me thanë. Nuk del dot asgja ma e thellë. Pastaj i kujton zyrat e shtetit si simbol të shtypjes, në të cilat nuk do kishte dashtë me u fut kurrë, por tashma i drejton, tue pikturu kështu një telajo para Europës si një artist rebel, që e ka përjetu shtypjen dhe që i asht futë politikës për lirinë.
Ka një farë debati mes kritikëve nëse Rama, thellë-thellë, përpiqet me ba diçka të mirë, por nuk ja lejon sistemi që vetë ka ngrit, apo nëse Rama asht thjesht një megaloman që don pushtetin, e për me e arrit e mbajt atë, asht i gatshëm me ba gjithçka. Unë jam e bindun për të dytën.
Një njeri që e kupton thellësisht lirinë dhe e ka përjetu shtypjen, s’kishte me qeverisë KURRË si qeveris Rama. Në rast se nuk do mund t’i ndryshonte gja natyrshëm e drejtë, thjesht kishte me u tërheqë. Rama nuk ka qenë kurrë disident i komunizmit, prandaj edhe e rijetëzoi atë. Nuk po e teproj kur them që sot nuk jetojmë në diktaturë vetëm për dy arsye: nuk burgosesh vetëm pse kundërshton, dhe mundesh me u largu prej vendit. Izolohesh, kërcënohesh, edhe burgosesh nëse ndonjëherë në jetën tande ke ba diçka të paligjshme – por jo me akuzën “agjitacion e propagandë.” Dhe mundesh me u largu me një biletë të lirë në çdo moment nga vendi. Ama këto janë të vetmet dritare lirie. Marrëdhaniet shtet-individ dhe individ-individ janë po aq të dhunshme e të padrejta sa në komunizëm. Pavarësisht formës që ajo merr, diktatura asht në thelb e njejta: dhunë ndaj njeriut, qoftë kur justifikohet me ideologji marksiste-leniniste, qoftë kur vishet si kapitaliste e liberale.
Nëse gjatë komunizmit disa njerëz të përçudnuem me uniformën e sigurimsave, prokurorëve, anëtarëve të komitetit, sekretarëve merrnin në qafë jetë njerëzish, sot vazhdon i njejti model – veçse kanë ndryshu uniformat dhe titujt. Tash kemi një element të ri në sistem: “biznesmenin”, i cili, megjithatë, nuk dallon shumë prej xhelatëve që ta merrnin shpirtin në miniera. Sistemi gjyqësor ka ndryshu fjalët mbi të cilat merr vendime, por vazhdon mos me kuptu fjalën drejtësi. Si në komunizëm, gratë mbajnë poste të naltë, por s’kanë qenë kurrë ma larg lirisë dhe fuqizimit. Të paditunit, mjafton me përqafu partinë, drejtojnë talentët, të cilët po zgjedhin biletën e lirë për në Perëndim. Të fortët shantazhojnë, vrasin, gllabërojnë pasuni, ofendojnë dinjitetin pa ju hy ferrë në kam nga i ashtuqujtuni shtet. Shteti jot i kartonit. Këta janë shokët e tu, Edi Rama, me të cilët ti mban pushtetin. Një njeri që e kupton lirinë, kishte me e urry këtë model Ramë, jo me e përqafu. Po ti je diktator, jo disident. Ti erdhe në pushtet 23 vjet mbas rënies së komunizmit, dhe na e ngushtove dritaren e lirisë gati si atëherë.
Njajtë si ti e ke kalu rininë tande në komunizëm, edhe unë po e kaloj rininë time nën qeverisjen tande. Ty s’të paskan lanë me pikturu qiellin kuq. Më lejo me të tregu mënyrat se si ti ma privon lirinë mue:
Mungesë lirie asht me u eduku, e mos me mujt me gjet asnjë hapësinë për me zhvillu potencialin tan, ndërsa sheh njerëzit ma të paditun tue drejtu. S’ka mungesë ma të madhe lirie se me dënu dijen e me lartësu padijen. Mungesë lirie asht me u çu në protestë kundër vendimeve t’tua të padrejta, e me të dënu me heqjen e mamit prej punës, me intimidimin e tanë familjarëve. S’ka mungesë ma të madhe lirie se me të dënu pse thue të vërtetën. At Pjetër Mëshkalla thoshte: “Fushata që po bahet synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e shqiptarit në dam t’Atdheut.” Mungesë lirie kanë edhe të njohunit tanë në qytet, të cilët në mënyra të ndryshme e shmangin asocimin me ne, qoftë edhe tue ndrru rrugën ndonjëherë.
E ndjej mungesën e lirisë sikur me më pas kap dikush në fyt tue më marrë frymën, kur ndigjoj historinë e një shoqes që e din shumë mirë kush ja ka ther vllain, por institucionet refuzojnë me u marrë me çështjen. Apo të një shoqeje tjetër, që i marrin peng kushrinin në bashkëpunim me policinë, e unë nuk mundem me ba asgja, përveç me ndigju. Imagjino si ndihen ata që e kanë ma afër. Sa e sa histori të tilla ka.
Kjo asht mungesa e lirisë, Edi Rama – me të cenu shpirtin. Diçka që po ta kishe kuptu najherë, s’kishe me e rijetëzu.
LIRIA, nga Martin Camaj
Liria e fshehun mbas vargjeve
Të poezisë
Nuk ishte vetëm:
Para tyne rrishin galue roje
Shpend mishngrënës
Me fytyrë njerëzore.
E ti ishe për ta nji bletë
Tue u rropatë kah drita në qelq,
Andej kufijve të botës
Njerëzore.

