Nga Ermal Mulosmani
Pas zbulimit të vjedhjeve spektakolare në shtëpinë e këshilltares së lartë të ish-zëvendësit të tij dhe ish-drejtoreshës së Koncesioneve, Kryeministri thërret në një mbledhje urgjente ku marrin pjesë Çuçi, Elisa, Pela, Damiani dhe Fuga. Sapo të gjithë u futën në zyrë filloi batërdia:
Rama: “O Çuç, ça ishte kjo mer burrë?! U bëmë gazi i botës! Unë bëj mbledhje qeverie nga 63 orë pa pushim, bëj 5 stadiume, 4 aeroporte, ngrej satelitë në hapësirë, ju më merrni erzin me këto hajdutet e vogla… Për 500 mijë euro të qelbta bëjnë namin shqipot. Kaq merr Ronaldo në orë…”
Damiani: “Shefo as mos e rr** fare për kët punë. E kanë zakon këta, bëjnë meme, gallata dhe pas tri ditësh harrojnë. Mu dhimbs Alda. Grua shumë e mirë, po kalo në depresion. Ato lekët duhet me ia kthy. Ka punu nën stres gjithë këto kohë, me pa**** e SPAKUT nëpër këmbë, vjen ajo bushtra vjen e i fut rruspën… Ka edhe këto problemet e shtëpive, mezi po ua bën dokumentet. Nja dy i kishte harru fare, ia kishte falë baxhanaku i vëllait. Tani, laj thaj, kaq kjo shefo, as 500-shen se kap dot më se iku nga vafti. Ka fëmijë për të rritë është e divorcume…”
Elisa: “Këtu ka të drejtë Damo shef! Janë bërë këto pastrueset që mos rënç në duart e tyre. Unë them që nuk duhet të ulim kokë se na vunë përfundi. Të bëhet inventarizimi i vjedhjeve dhe t’u shpërndahen të zotërve. Ne nuk duhet të heshtim si ata plehrat e PD-së. Atyre ua vidhnin paret dhe mbyllnin gojën. Nëse pranojmë që paratë të hidhen kështu, në gojë të pastrueses….”
Ndërhyn Kryeministri: “Ore për atë punë ajo e meriton burgun që çke me të. Njeri pa vision fare! Si u fshihkan paret në shtëpi?
Mjafton ky fakt dhe duhet ndëshkuar. Çuç, ku janë paratë momentalisht?”
“Në komisariat” – përgjigjet me gjysmë zëri Çuçi…
“Si more në komisariat? Se mos na del ndonjë pastruese edhe atje”? – shton Kryeministri me ironi…
Çuçi bëhet keq.
Kryeministri: “Po kjo pastruesja po thonë që u paska vjedhë edhe të tjerëve, ë? Pak pastruese ka që zgjidhnin vetëm këtë?”
Ndërhyn Elisa.
“Shefo, ajo i kishte duart e arta, me i dhënë hakun. Ku prekte ajo bëhej dritë. Kështu edhe në të parë dukej si ëngjëll…Prandaj të mirrte në qafë”
Damiani, Çuçi dhe Fuga miratojnë njëzëri me kokën ulur:
“Ashtu ishte, për pastruese nuk e kishte shoqen”…
Kryeministri vë duart në ballë. Ndërhyn Pela:
“Unë as e rruj për pastruse fare. Ku futen ato në shpi?! E kam nga përvoja, nuk i linte Qorri me ra në tokë, i pallonte mbarë e prapë. Qysh asaj kohe më mirë e lë shpinë të qelbet erë sesa fus këso Rozetash që pjellin edhe histori rozë…”
Kryeministri: Ore Fugë, cmë rri aty? Më thuaj çtë bëjmë?!
Fuga: “Unë e mendova shef. Duhet të dalim me deklaratë që ne, ndryshe nga PD, i fusim në burg hajdutët tanë. Ka ikur koha e mbrojtjes shtetërore. Nuk ka më. Kjo është një fitore e drejtësisë së re që duhet përgëzuar si arritja më e madhe e Qeverisë Rama! Mero do bëjë një shkrim ku do vihet theksi te hajdutja e vogël dhe pak te hajdutja e madhe duke e bërë telenovelë. Nuk duhet të dorëzohemi edhe sikur vetëm unë e ti të mbetemi jashtë burgu”
Kryeministri kruan kokën me siklet: “Mirë mo mirë po drejt asaj rruge po shkojmë më duket. Ti ke pastruese në shtëpi?”
Fuga: “Mua ma pastron shtëpinë mamaja Lalit, jam në rregull”
Kryeministrit i bie telefoni, është gruaja. Bie qetësi.
“Zemra, e njohe atë pastruesen? E kemi pasë…” Kryeministri e mbyll me nervozitet telefonin.
“Tjetër, ça kishim ndonjë gjë”?
Damiani: Hiç shef, Alibeaj i përjashtoi ata 4 deputetët që deshën ta përjashtojnë, ne i dhamë të drejtën e komisionerëve. Shkodra po ecën mirë, asgjë nuk i është lënë rastësisë. Do i japim edhe një seli se ka mbetur jashtë. Ka vulën, logon, deputetët por nuk ka ku rri. Mbeti korridoreve të Parlamentit.”
Kryeministri: “ Ke të drejtë. Le të shkojë te Patozi, i kam pasë dhënë një seli atij, kishte edhe palestër. Le të rrinë bashkë”
“Po nga ne, ka thirrë njeri SPAK-u?”
Fuga: “Po shef, më mori ky Dumani, shefi i sapoemëruar. I ka mbetë mendja që nuk e ke ftuar ndonjëherë, më kërkoi të ndërhyja te ti. Më tha: Lali më fton vazhdimisht vetëm Shefi Madh asnjëherë. I thashë që do bëj çmos të të organizoj një takim të shkurtër”.
Kryeministri: “Mirë, mirë thuaji që nesër të vijë pas atij deputetit idiot të Shkodrës, do e takoj 5 minuta.”
Fuga: “Je i madh, do i bëhet zemra mal të shkretit, do e marr menjëherë t’i jap lajmin e madh…”
Kryeministri: “Ore, unë më me qejf takoj atë Dumanin tjetër, atë figurën që është në burg po ç’të bëj ty. Ikni tani mu qëroni nga sytë.”