Nga Mehmet Elezi
Deri në fund të qindvjetëshit që shkoi për veprimtaritë argëtuese me raste festash, ditëlindjesh a gëzimesh të ngjashme, thuhej mbrëmje. Edhe FGJSH e ka në këtë kuptim. Ndonjëherë saktësohej mbrëmje argëtimi, dëfrimi, vallëzimi. Sepse në fillim këto organizoheshin në orët e vona. Më pas kuptimi i mbrëmje si veprimtari dëfryese u shkëput qartazi, aqsa edhe kur organizoheshin në kohë dreke ose paradite, prapë mbrëmje u thoshin. Në një të drekës kemi mbrëmjen e Vitit të Ri.
Pas hapjes së vendit filloi me u përshtatë edhe fjalori. Gjimnazistët e Tiranës thonë party, në raste të caktuara ballo. Party për ditëlindje. Fjalorët anglisht-shqip e përkthejnë pritje, mbrëmje, festë. Ndonjëri saktëson “mbrëmje argëtimi”. Nga prejardhja është e njëjtë me parti (politike).
Në vend të party, në Kosovë, në Mal të Zi e në Maqedoni thuhet ndejë, ndeje. Fjalë e burimit indoeuropian të shqipes. Lidhet me foljen me ndejë, mënyra paskajore e foljes rri. E mbarë gjuhës. Del te Buzuku, te Budi, te Bogdani, te Bardhi, te Grigori (toskërisht), te abëreshët e Greqisë e të Italisë.
Një ndër kuptimet e hershme të ndejë: qëndrim në një shoqëri të caktuar duke kuvenduar, duke pirë kafe, raki e duke luajtur, sidomos netëve të dimrit dhe kur vijnë miq. Është përdorur moti në popull dhe në vepra letrare. “Teja (ndeja) asht me rend, herë në një shtëpi e herë në një tjetër, por atë natë qi e ka tejën… ajo shtëpi duhet me u bâ gati me dru për zjarm, me raki, me venë e me kafe e çullen me të cilën luhet kapicë, postet për me ndejë etj…” (Atë Kolë Berishaj, Malsia e Madhe, etnografi). “… matunia e këtij zotnie në ndeje dhe kuvendi i kishin mbetë të ngulun në tru…” (Martin Camaj, Djella). “Na uroi një ndejë të mirë…” (Kim Mehmeti, Fshati pa varreza). Në fjalë të urta: “Burri i mirë ta ha henë (hajen), po të ndreq ndejën”. “Ku s’ka odë, s’ka as ndeje”.
Rinia në Kosovë e ka përshtatur shkëlqyeshëm në vend të fjalës mbrëmje, që përdorej dikur, dhe në vend të party, që përdoret tashti në Shqipërinë Londineze. Ndejë ka hyrë edhe në median serioze. Një lajm i Radios Evropa e Lirë: “Ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë 24 trupa të pajetë nga një objekt banimi në Oakland të Kalifornisë, pas shpërthimit të një zjarri gjatë një ndeje, që është mbajtur gjatë fundjavës”. Pra gjatë një ndeje.
E ka pasur Fjalori i 1954-s. FGJSH jo. Është një ndejë, quhet krahinore dhe ftillohet me ndenjje (e vështirë edhe në shqiptim kjo). Te ndenjje shkruan shih te rri. Te rri emri ndenjje shpjegohet: qëndrim në një vend, të ndenjurit. Nuk është kuptimi me të cilin e ka populli dhe që është pështatur aq bukur në Kosovë e në mërgatë.
Shqipja e radios amerikane Evropa e Lirë është më shqip se shqipja e fjalorit normativ të Akademisë së Shkencave të Tiranës.
- nga libri “Dritëhije në fjalorët e Akademisë” –

