Nga Daut Dauti
Një natë gushti të vitit 1942 Pallati Mbretëror i Egjiptit përgatiti një darkë solemne për një mysafir shumë të rëndësishem. Atë natë, mbreti Faruk e ka gostitur kryeministrin britanik, Winston Churchillin. Gjatë darkës dhe muhabetit, Churchilli e heton se në xhep nuk e kishte orën. Kjo gjë e kishte brengosur pa masë për shkak se ora ka qenë e shtrenjtë dhe është bartur në familje me gjenerata si dhuratë nga familja mbretërore britanike.
Kur Churchilli ishte shqetësuar tej mase, mbreti Faruk i thotë:”Unë e kam orën tënde. Ja ku e ke. E mora për argëtim se ju anglezët jeni të njohur për humor’’.
A do t’ia kishte kthyer orën mbreti Faruk Churchillit sikur ky të mos e diktonte sa ishte ende në pallat? Pse vjedh një njëri, në këtë rast mbret, dhe ndër më të pasurit në botë? Mbreti Faruk ka qenë edhe koleksionari më i madh i automobilave (vetëm Rolls Rojsa i kishte mbi 50), disa dhjetëra Mercedesa (më i shtrenjti ishte dhuratë që ia kishte dërguar Hitleri për martesë), mijëra orëve të shtrenjta, qindra e qindra diamante e gurë tjerë të çmuar, një mori të fotografive dhe filmave pornografikë dhe shumë gjëra tjera. Sipas vlerës së sotme, pasuria e mbretit Faruk llogaritet me vlerë 100 milardë euro. Mbreti Faruk ka vjedhur për shkak se ka qenë kleptomaniak. Pra, vjedhjen e kishte sëmundje.
Ai ka qenë specialist i vjedhjes në xhepa. Pra, ka qenë xheparosh. Nga dëshira për ta mësuar këtë ‘mjeshtëri’, e kishte nxjerrë nga burgu hanjin më të madh të Kajros, i cili, pas një kursi intensiv, ia kishte mësuar zanatin mbrerit. Problemi i mbretit ishte se, nuk kishte ku të vidhte pasi që shumicën e kohës e kalonte në pallat dhe nuk mund t’i vidhte gjërat e veta. Por, disa historianë kanë shënuar se ai vidhte edhe si mysafir kur shkonte në vizita zyrtare. Ta zëmë, një gjë të vlefshme që dihet se e ka vjedhur, është shpata ushtarake solemne e Rezah Pahlavit.
Sidoqoftë, mbreti Faruk ka qenë karakter i veçantë dhe bënte gjëra të çuditshme. Në kohën e tij, për shkak të mënyrës si jetonte, ka qenë ndër personalitetet më të popullarizuara në botë. Nuk kishte besim në askend pos te një grup i 60 shqiptarëve që i mbante afër. Ishte shumë i dhënë pas ushqimit dhe grave. Hante deri 600 guaca deti brenda një jave edhepse e dinte se nuk duhej t’i hante më shumë se 70 pasi mund t’ia shkaktonin vdekjen, e cila gjë edhe ndodhi.
Para pak kohësh janë zbuluar memoaret e tij, por ende nuk janë botuar. Mediat arabe kanë botuar disa pjesë ku ai thotë se nga froni e largoi ‘Vëllezëria Myslimane’ e jo ‘Lëvizja e Oficerëve’ e Naserit, siç është ditur deri tash. Sidoqoftë, viteve të fundit është shtuar interesimi për të në botën arabe ku janë shkruar shumë libra dhe janë xhiruar filma artistikë e dokumentarë. Vërehet një tendencë e paraqitjes së figurës së tij në aspekt pozitiv dhe në Egjipt janë shtuar zërat për kthimin a pasardhësve të tij në fron.
Megjithatë, sikur të mos ia kthente Churchillit sahatin, do të ishte më interesant. Thjeshtë, është dashtë t’i thotë:”Kur ke hy n’pallat, s’e ke pasë sahatin me veti”.