Nga Arilda Lleshi
Dje, banorët e Zall Herrës protestuan për të disatën herë. Kërkesa e tyre ishte e thjeshtë: donin që qeveria t’ju asfaltonte një rrugë 5 metra të gjerë e 3.5 km të gjatë.
Në fshatin e tyre ushtronin veprimtarinë 5 gurore. Në atë rrugë në ditë kalonin me qindra herë kamionë që transportonin gurët dhe përgjatë viteve e kishin shkatërruar totalisht atë rrugë. Mungesa e kësaj rruge vështirësonte jetën e përditshme të banorëve. Ata thonin se nuk ja vlente të investoje në një makinë (nëse i kishe të ardhurat për ta përballuar) sepse duhej t’i bëje servis makinës vazhdimisht. Fëmijët shkonin në shkollë në këmbë, sepse opsioni tjetër ishte një furgon që kushtonte 2500 lekë në muaj për fëmijë. Kjo ishte e papërballueshme për një familje me 2-3 fëmijë. Të rriturit që punonin jashtë zonës gjithashtu e bënin këtë rrugë në këmbë deri në qendër të Zall Herrit (ku niste asfalti) ku pastaj merrnin autobuzin për në vende të tjera. Linjën e ujësjellësit e kishin, por shpërthimi i guroreve e kishte ndotur aq shumë ujin saqë nuk e përdornin dot për asgjë. Për shumëkënd, puna e përditshme ishte të siguronte ujin e pijshëm: pra të ecte me dy shishe të mëdha uji përgjatë kësaj rruge deri te shtëpia.
Prishja e rrugës dhe lëvizja e kamionëve krijonte ndotje të madhe. Shtepitë i mbanin dyert e dritaret mbyllur nga pluhuri, prodhimet bujqësore dëmtoheshin, njerëzit dilnin të larë nga shtëpia e shkonin të palarë në qendër të zonës, e më serioze, ky pluhur sillte probleme të mëdha shëndetësore.
Pra, përveç se janë zonë rurale me të ardhura shumë të ulëta, për mungesë të kësaj rruge, atyre ju duhet të paguajnë ekstra për shërbime bazike: për ujin që pijnë, ujin që lahen, transportin e fëmijëve, servis makine, kostot shëndetësore. Vetëm një asfaltim do jua lehtësonte jetën e t’ua bënte atë më pak të kushtueshme. Pavarësisht se e kishin ngritur si problem te autoritetet nuk kishin marrë përgjigje.
Vetë guroret ishin problem edhe më i madh. Ishte shpërthimi i guroreve që shkaktonte ndotjen më të madhe, që e bënte ujin të papërdorshëm, që dëmtonte shtëpijat përreth, që edhe rrezikonte jetë me fluturimet e gurëve në zonat e banuara, sepse guroret ishin më afër këtyre zonave seç ju lejohej ligjërisht. Mirëpo banorët kishin vendosur ta linin këtë kauzë menjanë dhe të fokusoheshin te rruga si diçka më e arsyeshme për t’u kërkuar dhe si më pak problematike.
Gazetarët erdhën, thanë që banorët po kërkonin një rrugë dhe ikën. Sapo ikën gazetarët, policët me telefonë në duar filluan të filmonin protestuesit. Deri në atë pikë, ata kishin qëndruar pak larg protestës. Banorët tregonin se ishin thirrur në polici për daljet e tyre të mëparshme në protesta dhe në protestë kishin dalë vetëm ata që nuk ishin në ndonjë marrëdhënie interesi me qeverinë. Protestuesit vetë ishin paksa të ndarë e jo krejtësisht të njohur me rrugën ligjore, sepse nuk kishin orientimin e duhur. Ata shpresonin në ndonjë reagim nga autoritetet duke e nxjerrë rastin e tyre në media.
U largova me brengë nga aty. Një grup njerëzish të harruar nga shteti ishin vetë-organizuar për të kërkuar një shërbim bazik, por përballë kishin një pushtet që në vend që t’i dëgjonte, i përgjonte e kërcënonte. Nga ana tjetër nuk kishin orientimin e organizimin e duhur. Megjithatë dukeshin të vendosur për të vazhduar e një ekspert ligjor do i ndihmonte shumë.