Media ukrainase RBC Ukraine ka raportuar se Shqipëria po shërben si një nyje tranziti për produktet e ndaluara të naftës ruse dhe libiane, të cilat përfundojnë në tregun evropian duke anashkaluar sanksionet ndërkombëtare.

Duke iu referuar një investigimi të realizuar nga Balkan Insight, raportimi thekson se karburanti kontrabandë fshihet në anije të modifikuara ose deklarohet si material ndërtimi, ndërsa portet shqiptare përdoren si pika hyrëse drejt BE-së.

600 mijë litra naftë të fshehur si çimento

Në fillim të këtij viti, dy anije – “Besart” dhe “Aya Zanubya” – mbërritën në Porto Romano duke deklaruar se transportonin çimento. Gjatë kontrollit u zbulua se në fakt mbanin mbi 600 mijë litra karburant të padeklaruar. Sipas hetuesve, porti është përdorur disa herë për hyrjen e produkteve të ndaluara të naftës nga Rusia dhe Libia.

Ekspertët mendojnë se shumica e ngarkesave janë me origjinë ruse, ndërsa pjesa tjetër vjen nga zona libiane të kontrolluara nga grupe të armatosura.

Anije të vjetra, flamuj afrikanë dhe kompani offshore

Kontrabandistët, sipas hetimit, përdorin anije të vjetra që lundrojnë nën flamur tanzanian dhe janë të regjistruara në kompani offshore. Një prej tyre, “Batimarine Owner Ship”, rezulton të ketë kryer disa ngarkesa të tilla. Dyshohet se përdoren kontrata të falsifikuara, deklarata doganore të rreme dhe korrupsion në port.

Policia shqiptare nuk ka reaguar, ndërsa burime lokale pohojnë se “struktura të posaçme” ndihmojnë në shmangien e kontrolleve.

Karburanti nga Mali i Zi dhe Libi

Ndërmjet viteve 2013–2016, rreth 1.7 milion litra karburant i paligjshëm janë futur në Shqipëri nga Mali i Zi me anë të varkave të peshkimit. Prokurorët zbuluan edhe kompani offshore që organizonin transportet. Dy organizatorët kryesorë, Juxhin Koka dhe Sergio Sula, janë ende në arrati.

Në vitin 2022, anija “Queen Majeda” nga Bengazi u sekuestrua në Porto Romano me 2.6 milion litra karburant detar, import i ndaluar në Shqipëri.

Ekspertët deklarojnë se në Libi kontrabanda e naftës financon grupet e armatosura dhe se Rusia ka krijuar ura bashkëpunimi përmes forcave të lidhura me Khalifa Haftar.

Varka peshkimi si fasadë

Prokuroria e Durrësit po heton raste ku varka peshkimi janë përdorur për transport të naftës së kontrabanduar nga Libia. Ngarkesat maskoheshin si “shkëmbim peshku”. Që nga viti 2022 janë sekuestruar më shumë se 750 mijë litra karburant me cilësi të ulët, i papërshtatshëm për automjete.

Autoritetet shqiptare pranojnë se kontrabanda vazhdon, ndërsa Porto Romano dhe Durrësi mbeten pikat kryesore të trafikut.

Tregjet ndërkombëtare

Në artikull përmendet gjithashtu se rafineritë indiane kanë nisur të paguajnë naftën ruse në juan kinez, ndërsa “Indian Oil Corp” ka kryer disa transaksione në këtë monedhë. Kjo praktikë shihet si pasojë e sanksioneve dhe tensioneve në tregjet globale të energjisë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *