Igli Tare pritet të zhvillojë një takim të fundit me drejtuesit e Milanit, nga i cili pritet të përcaktohet nëse ish-sulmuesi i Shqipërisë do të marrë rolin e drejtorit sportiv.

Raportohet se takimi i para disa ditëve me administratorin Furlani ishte pozitiv dhe se palët janë përafruar ndjeshëm në qëndrimet e tyre.

Mediat në Itali raportojnë se pjesë e projektit të Igli Tares është edhe një listë lojtarësh që ai synon të afrojë te Milani, nëse merr postin e lartë drejtues.

Në mesin e emrave figuron edhe Ardian Ismajli. Mbrojtësi i kombëtares zhvilloi sezonin më të mirë të karrierës me Empolin, ndërsa ka spikatur në përballje me ekipet elitare të Serisë A. Në fund të sezonit, Ismajli pritet të jetë lojtar i lirë pas skadimit të kontratës me Empolin.

Igli Tare njihet për afrimet e lojtarëve shqiptarë gjatë kohës sa ishte drejtor sportiv te Lacio. Bluzën e lacialëve gjatë asaj periudhe e veshën Etrit Berisha, Lorik Cana, Valon Berisha, Vedat Muriqi, Elseid Hysaj dhe Thomas Strakosha.

By Editor