Nga Hasan Bello
Sipas regjistrave të Gjendjes Civile Osmane, Mehmed Mehdi bej Frashëri ishte djali i Rauf (ndoshta duhet Ragip) beut, kajmakam (nënprefekt) i kazasë së Meçovës. Ai ka lindur në vitin 1873 (1289 sipas kalendarit hixhri), në fshatin Frashër, të vilajetit të Janinës. Ka ndjekur mësimet në Idadinë e Manastirit deri në korrik të vitit 1893; më pas është diplomuar në Shkollën e Lartë të Administratës në Stamboll (Mekteb-i Mülkiye-i Şahâne) në korrik të vitit 1897.
Në shtator të vitit 1897, u emërua në shërbimin civil të vilajetit të Cezayir-i Bahr-i Sefid (Algjeria e Detit të Bardhë). Krahas kësaj detyre, nga tetori i po atij viti, për një vit dha mësim në Medresenë e Sulejmanijes në Rodos për lëndët: histori, gjeometri, algjebër etj. Më vonë shërbeu si zëvendëskajmakam në Kerpe dhe në Kashot.
Në vitin 1901 u transferua në Peqin, në vilajetin e Manastirit; në vitin 1903 në Ohër; në vitin 1906 në Dardhere dhe Çorlu; dhe në maj të vitit 1908 u emërua kajmakam i Luleburgazit.
Në shtator të vitit 1908, Mehdi beu u emërua në sanxhakun e Sjenicës; më pas, në janar të vitit 1909, në Siroz; dhe në tetor të po atij viti, me titullin becayiş (transferim reciprok), u transferua në prefekturën e Xhanikut. Së fundi, në qershor të vitit 1911, u emërua në mutasarrifatin e Kudusit (Jeruzalemit).
Pas Luftërave Ballkanike, në shtator të vitit 1912, Mehdiu shkoi në Shqipëri pak pas shpalljes së autonomisë së saj.
Përveç detyrave të rëndësishme në administratën e shtetit shqiptar, Mehdi Frashëri është autor i disa librave me karakter historik, juridik, letrar dhe socio-ekonomik. Por kontributi i tij real në aspektin studimor është i shpërndarë në qindra artikuj në faqet e shtypit shqiptar. Për fat të keq, vepra e tij ende nuk është botuar në një kolanë, ashtu siç e meriton një intelektual i këtij kalibri.
Mehdi Frashëri është autor edhe i një studimi për kapitulacionet në Perandorinë Osmane në vitin 1908, i cili, pas njëqind vjetësh, u transkriptua dhe u ribotua nga një profesor turk në vitin 2008.
