Qeveria e Kosovës po finalizon procedurat e ligjit i cili u mundëson mërgimtarëve që në zgjedhjet e ardhshme të drejtën e votës ta ushtrojnë në ambasadat dhe konsullatat e shtetit të Kosovës, në vendet ku ata jetojnë dhe punojnë.
Ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që njoftoi në parlament se procedurat teknike të ligjit pritet të përmbyllen së shpejti për t’u finalizuar me votimin në parlament.
“Sipas draft-ligjit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, mërgimtarët do të evidentohen si votues në mënyrë elektronike. Regjistrimi i tyre do të jetë shumë më i lehtë dhe do të bëhet online, ngjashëm si shërbimet që kryhen sot në e-Kosova.
I pari, votimi fizikisht një ditë para zgjedhjeve në njërën prej ambasadave apo konsullatave të Republikës së Kosovës, opsioni i dytë do të jetë dërgimi i fletëvotimit me postë brenda vendit ku jetojnë në adresën që e cakton ambasada e Republikës së Kosovës. E me këtë ambasadat shndërrohen në qendra të grumbullimit të fletëvotimeve.
Opsioni i tretë mbetet mënyra e vjetër e votimit, duke i dërguar fletëvotimet me postë në adresë të Komisionit Qendror Zgjedhor për vendet, ku Kosova nuk ka ende ambasadorë ose konsullatë.
Uroj që ky projektligj të kaloj sa më shpejt të gjitha procedurat e parapara deri te votimi në Kuvend.” – theksoi Kurti në fjalën e tij.
Mërgata e Kosovës është investitori kryesor në vend bashkë me kontributin në ekonominë e vendit që buron nga remitancat, ndërkohë që shteti po e vlerëson kontributin duke i ofruar dhe të drejtën e votës në ambasada dhe konsullata, një e drejtë kjo e kërkuar prej vitesh nga mërgata e Kosovës.
Krejt ndryshe ndodh në Shqipëri. Kryeministri, Edi Rama e premtoi që në fushatën elektorale të vitit 2013-të të drejtën e votës për emigrantët, por gjithçka ka mbetur vetëm në arkivën e premtimeve elektorale.
Në vazhdimësi ofrohen deklarata sporadike lidhur me të drejtën dhe nevojën e votës së emigrantëve, por në terren mungon çdo nismë për konkretizimin e këtij procesi.
Nuk ka asnjë gjasë që emigrantët të votojnë edhe në zgjedhjet e vitit 2025-së dhe ndoshta as në ato të vitit 2029-të.
Diaspora dërgon çdo vit nga 700 deri në 1 miliardë euro remitanca, investon në turizëm dhe bujqësi, por shteti vijon t’i nënçmojë dhe t’i mashtrojë sistematikisht duke i përjashtuar nga vendimmarrja në termat e demokracisë pjesëmarrëse.
Pamundësia për të kontrolluar dhe orientuar me makinacione korruptive vullnetin e emigrantëve në kutitë e votimit, mund të jetë në thelb premisa dhe shkaku i vetëm i moslejimit të tyre për të votuar në shtetin që mbahet në këmbë nga kapitali i tyre 30-vjeçar./Besmir Lushaj