Ish-qendërmbrojtësi i kombëtares, Mërgim Mavraj beson se Shqipëria ka shanse reale për kualifikim në Euro 2024, por nevojitet kujdes dhe evitimin i euforisë.
Sipas Mavrajt, përballja me Çekinë dhe sidomos ajo me Moldavinë do të jenë vendimtare për të besuarit e Silvinjos.
“Nuk është fituar asgjë deri tani. Thjesht për momentin janë fituar zemrat e tifozëve sërish. Janë ngritur lart ngjyrat dhe flamujt. Jemi rikthyer në skenën e futbollit ndërkombëtar, pasi ishim disi të fshehur. Ndeshja në Moldavi është shumë e vështirë dhe sipas meje do të jetë vendimtare. Por, edhe ndeshja me Çekinë në Tiranë. Mos të bëhemi euforikë, sepse gabimet më të mëdha njeriu i bën kur ndihet i sigurt. Nuk jemi akoma të sigurt dhe janë disa ndeshje që duhet t’i bëjmë me sytë hapur dhe një fokusim maksimal, sikur jemi zero me zero me të gjithë nga pikët në renditje. Asgjë nuk është arritur ende. Janë dy ndeshje shumë të vështira përpara dhe duhet t’i marrim me shumë seriozitet.” – tha Mavraj për Panorama Sport.
Mërgim Mavraj ishte një nga shtyllat e mbrojtjes në kombëtaren e drejtuar nga Xhani De Biazi e cila siguroi pjesëmarrjen historike në Euro 2016.
Mavraj arriti të shënonte dhe 3 gola në paraqitjet e tij për Shqipërinë.