Dimal Basha, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, është zgjedhur kryetar i ri i Kuvendit të Kosovës. Ai mori 73 vota pro, 30 kundër dhe 3 abstenime. Zgjedhja e tij erdhi pas një procesi të gjatë, ku u deshën plot 56 përpjekje për formësimin e këtij institucioni.
“Sot kjo republikë qëndron e pavarur edhe falë ndihmës së shteteve mike, në krye me SHBA-në. Ky Kuvend ka përballuar muaj të tërë sfida që nuk janë parë më parë. Megjithatë, këto beteja kanë shërbyer si shkollë për demokracinë dhe emancipimin e shoqërisë.
Shumica prej nesh mund të dallojmë sipas partive, por qytetarët presin që të jemi të bashkuar në objektivat tona, si zhvillimi ekonomik, forcimi i sundimit të së drejtës dhe mbi të gjitha mbrojtja e integritetit territorial,” – tha Basha në fjalimin e tij të parë si kryeparlamentar.
Kush është Dimal Basha?
Dimal Basha ka lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe jeton në Ferizaj. Studimet e larta i përfundoi në John Jay College of Criminal Justice në New York, ku u diplomua me vlerësimin më të lartë në drejtimin “E Drejta Penale Ndërkombëtare.”
Më pas ai kreu studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare, me fokus në “Konflikt dhe Siguri,” në The New School University në New York.
Me një përvojë të pasur profesionale, Basha ka punuar në zyrën e ish-kongresmenit Eliot Engel, si dhe si analist i të dhënave kualitative në Gjykatën Federale të SHBA-së. Përveç kësaj, ai ka ndërtuar një karrierë të suksesshme menaxheriale në Angli dhe SHBA.
Në politikë, Dimal Basha ka shërbyer si deputet i Kuvendit të Kosovës për dy mandate, duke përfaqësuar Lëvizjen Vetëvendosje. Ai ka qenë anëtar i disa komisioneve parlamentare, përfshirë:
Komisionin për Punë të Jashtme Komisionin për Legjislacion Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së Komisionin për Stabilizim-Asociim