Lionel Mesi ka lënë të hapur mundësinë e pjesëmarrjes në Botërorin e vitit 2026, por ka pranuar se ende nuk e ka marrë një vendim përfundimtar.
Ylli argjentinas, i cili ngriti trofeun më të madh në futboll në Katar 2022, tha se gjithçka do të varet nga gjendja e tij fizike dhe nga mënyra se si do të ndihet me klubin dhe kombëtaren në muajt e ardhshëm.
“Ende nuk e di. Do ta vendos më vonë, kur të vijë momenti i duhur. Do të shohim si do të jem fizikisht dhe sa mund të ndihmoj skuadrën. Sot është e vështirë të them ‘po’ ose ‘jo’”, është shprehur Mesi.
Në moshën 38-vjeçare, kapiteni i Argjentinës mbetet ende një figurë kyçe për ekipin kombëtar, por pjesëmarrja e tij në Botërorin e ardhshëm është kthyer në një nga temat më të diskutuara në futbollin botëror.
Argjentina, nën drejtimin e trajnerit Lionel Skaloni, pritet të jetë ndër favoritët edhe në turneun e vitit 2026, i cili për herë të parë do të zhvillohet në tre shtete: SHBA, Kanada dhe Meksikë.