Një ngjarje e rëndë dhe tragjike ka tronditur Tiranën mëngjesin e së hënës, ku një mësues amerikan ka marrë jetën e bashkëshortes së tij dhe dy qenve, përpara se të varte veten. Ngjarja ka ndodhur në banesën e çiftit në rrugën “Vangjel Noti”, në zonën e Laprakës.

Viktima, Matthew James Wertz, 55 vjeç, mësues i gjuhëve të huaja në kolegjin privat “Albanian College Tirana”, është gjetur i varur në shtëpinë e tij nga drejtori i shkollës, i cili kishte shkuar për të kontrolluar pas mungesës së tij në punë. Pas zbulimit të trupit të pajetë të Wertz, policia gjeti në banesë edhe trupin e pajetë të bashkëshortes së tij, Saragih Indah Lilis Sartika, 48 vjeç, e cila ishte mbytur me litar. Gjithashtu, u gjetën edhe dy qen të vrarë, për të cilët dyshohet se janë goditur me shkop bejsbolli.

Sipas të dhënave paraprake nga hetimet, ngjarja mund të ketë ndodhur gjatë natës, ndërsa vlerësohet se aktet janë kryer nën efektin e një gjendjeje të rëndë depresioni. Policia ka sekuestruar një letër lamtumire të shkruar nga Wertz, ku ai i kërkonte falje prindërve të tij, duke shprehur keqardhje që nuk kishte arritur të përmirësohej dhe të hiqte dorë nga veset. Në letër, ai përmend edhe emrat e disa personave të cilëve u kishte borxh dhe informon se paratë në kartën e tij bankare ishin të mjaftueshme për të shlyer borxhet.

Policia ka sekuestruar gjithashtu edhe disa dorëshkrime të tjera, një shkop bejsbolli, dhe katër laptopë për të cilët pritet të kryhen ekzaminime të mëtejshme kriminalistike dhe mjeko-ligjore. Autopsia e trupave është planifikuar të kryhet më 20 gusht 2024 në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *