Kryeministri i Greqisë, Kiriakos Micotaqis, mbërriti me helikopter nga Greqia në Himarë prej nga nisi dhe vizitën e tij në Shqipëri. Micotaqis, fillimisht u pa të shëtiste në pedonalen e Himarë ku u takua me qytetarë të cilët e pritën atë me thirrrje dhe me flamuj grek në duar. Kryeministri grek më pas vizitoi Kishën dhe shkollën e Himarës, për t’u drejtuar më pas në zyrën e Omonias, ku u prit nga kreu Fredi Bejleri. Bejleri mbajti një fjalim në greqisht, ndërsa Micotaqis po ashtu adresoi një mesazh drejtuar pjesëtarëve të komunitetit grek në Shqipëri duke theksuar se ata kanë qenë dhe do të mbetën gjithnjë në vëmendjen e qeverisë dhe autoriteteve greke.
Axhenda e kryeministrit grek vijon me vizitën e tij në Gjirokastër ku pritet të takojë komunitetin grek të kësaj zone, ndërsa më pas ai udhëton drejt Tiranës për t’u takuar me kryeministrin e vendit, Edi Rama dhe me zyrtarë të tjerë shtetërorë. Nisja e vizitës nga Micotaqis në zonat e minoritetit grek, rikonfirmon sërish faktin se Athina zyretare vijon të jetë e angazhuar në çështjet që lidhen me situatën dhe të drejtat e këtij komuniteti në Shqipëri.