Serbët kanë dhunuar tokën shqiptare. Nuk e dimë ende se deri ku kanë shkuar, sepse lajmet nuk arrijnë deri te ne. Gjithçka dimë për këtë e kemi mësuar nga telegramet e dërguar nga agjencitë e lajmeve. 

U bënë tashmë disa javë që Serbia përgatitej për një ekspeditë në Shqipëri. Pra, ky nuk është një rast i veçuar dhe i çastit; gjithcka ishte e parashikuar. Për të përgatitur sondazhin në terren, serbët kanë përdorur, si gjithmonë, mënyrat më të pabesa, duke përhapur lajmet më të gënjeshtërta dhe më tendencioze, për të bërë për vete opinionin publik. 

Kanë zbuluar banda imagjinare, me dhjetëra mijëra luftëtarë shqiptarë të gatshëm për të kaluar kufirin. Dhe në të gjithë këtë ata shihnin dorën e Austrisë dhe të Turqisë. 

Dhe provat nuk kanë munguar: rebelët që sulmuan Durrësin dhe Esatin, luftonin me pushkë të markës austriake dhe kudo janë gjendur monedha turke, mexhite, çerek mexhite dhe luigje të artë. Janë prova “të pakundërshtueshme” për … karrocierët 

dhe matrapazët e pazarit, meqenëse armët nuk kishin markën e uzinave shqiptare. 

Me të vërtetë serbët mendojnë se mund t’i marrin mendjen njerëzisë? Ata harrojnë se në Shqipëri nuk ka ende as edhe nje uzine armësh dhe se pushkët që janë sot në qarkullimn, janë të tipit italian. 60 copë prej 100 të pushkëve kanë padyshim markën italiane, jo sepse Italia ka furnizuar shqiptarët me to, por sepse ia ka shitur qeverisë shqiptare më 1914. 

Porsa u përket monedhave, në Shqipëri ka vetëm monedha argjendi turke dhe luigje të arta për arsyen e thjeshtë sepse nuk janë prerë monedhat shqiptare dhe se huat’ e dhëna nga bankat e Italisë e të Austro-Hungarisë janë kryer në luigje të arta italiane ose austriake. 

Më pas, telegramet serbe kanë njoftuar për qëllime sulmuese nga ana e shqiptarëve. Eshtë folur si nëpër tym per Dibrën, pastaj për Pogradecin e më vonë në këtë mesele janë perzier Prizreni me Gjakovën, por pa saktësuar asgjë, duke lënë gjithçka në mjegull.

Këtyre lajmeve u është shtuar edhe gjoja prania e oficerëve austriakë dhe të kapobandave bullgare. Mungojnë vetëm topat e valibrit 42 mm dhe nëndetëset! 

Pastaj, një ditë të bukur mësojmë se legjionet serbe kanë nisur marshimin për të ndëshkuar shqiptarët, për të ndihmuar Esat Pashën për të çrrënjosur intrigat austro-turke! Serbët janë nisur nga Struga, kanë zbritur në luginën e Shkumbinit, kanë pushtuar Elbasanin dhe telegramet thonë se  ata kanë hyrë tashmë në Tiranë dhe në Durrës. Ne do të publikojmë më pas telegramet, që permbajnë operacionet serbe, të nisura kryesisht nga Nishi. Dhe do t’ia lëmë lexuesit të ndërgjegjshëm dhe inteligjent të drejtën për ta zbuluar të vërtetën, që fshihet nën një pabesi të pafytyrë në këto lajme. 

Nuk është aspak e vështirë të dallosh makiavelizmin në qëllimet e tyre dhe kontradiktat në ato ç’ka thonë. Serbia parashtron të drejtat e saj për mbrojtje të ligjdhme kundër sulmeve të shqiptarëve, por nën këtë legjitimitet fshihet hapur dëshira për të shkaktuar turbullira në Shqipëri dhe për të pushtuar një vend të pambrojtur. 

Gazetat zyrtare serbe këlthasin se Shqipëria, qysh kur është bërë shtet i pavarur, po e shqetëson shumë Serbinë, se Austria nuk bën gjë tjetër veçse nxit Shqipërinë për të dobësuar fqinjën e saj të vogël dhe se, qysh nga fillimi i luftës, ajo i ka shumëfishuar përpjekjet e ndihmuar nga Turqia, për të krijuar një lëvizje të përgjithshme kundër Serbisë. Dhe serbët pretendojnë se Shqiptarët, i janë përgjigjur këtij apeli, që vjen nga jashtë.

Le të shohim nëse pretendimet dhe ankesat serbe kanë në themel të tyre ndonjë të vërtetë. Që Austro-Hungaria dėshiron të nxisë një diversion kundër Serbisë me anë të Shqipërisë, këtu nuk ka asgjë të jashtëzakonshme dhe të habitshme. Dihet mirë se qysh prej një viti, të gjithë ambasadorët dhe agjentët nuk bējnë gjë tjetër veçse përpiqen të ndikojnë në vendet asnjanëanëse dhe t’i fusin ato në luftën e

përgjithshme. Kjo është një taktikë fort e kuptueshme dhe mjaft e natyrshme.

Pra, ne nuk do të habiteshim aspak në rast se mësonim për atë çka Austro-Hungaria apo Turqia po kërkojnë, një aleat, një ndihmë në Shqipëri, sado e dobët qoftë. Që në Shqipëri ka individë ose parti që dëshirojnë të përfitojnë nga dobësimi i Serbisë, për t’u hakmarrë ndaj të gjithë mizorive, për të cilat ajo është fajtore ndaj kombit shqiptar dhe këtu nuk ka ndonjë gjë për t’u habitur, duke qenë se secili është i lirë të mendojë ose të dëshirojë çka i duket më e mirë. 

Por fjala është nëse këto ide apo dëshira janë shndërruar apo jo në veprime, nëse përpjekjet e të huajve ia kanë mbërritur qëllimit apo jo. Serbët thonë po. Ne themi jo. Qysh nga fillimii luftës austro-serbe, shqiptarët ishin të vendosur të qëndronin asnjanës. Mbasi Princ Vidi u largua nga Durrësi, Lidhja Kombëtare e Lozanës dhe partia Nacionaliste e Shkodrës vendosën edhe një herë të ruajnë asnjanësinë, duke ia lënë Fuqisë së Madhe të drejtën për të gjykuar mbi kontradiktat që ekzistojnë ndërmjet shqiptarëve dhe serbo-malazezëve. 

Qysh atëherë kjo asnjanësi nuk është prishur dhe nuk është vënë re asnjë veprim i pasinqertë. 

Përkundrazi, Serbia dhe Mali i Zi kanë bërë ç’është e mundur për t’i provokuar shqiptarët dhe për ti hedhur ata në një veprim të dëshpëruar. Në të gjitha këto raste dhe në të tjera të një rëndësie më të vogël, shqiptarët kanë vepruar vetëm për t’u mbrojtur. 

Por le të shkojmë dhe më tej. Serbët thanë me një zë qaraman se Shqipëria po konspiron vazhdimisht kundër tyre. Tani, mjafton të themi se Shqipëria nuk ka ende as ushtri, as artileri, ndërsa ushtria serbe numëron gjysmë milioni ushtarë, për të kuptuar se cili krah mund të rrezikojë krahun tjetër. Të shohim edhe më tutje. Qysh nga koha kur Konferenca e Londrës njohu pavarësinë e Shqipërisë, Serbia në marrëveshje me fqinjën tonë të jugut kanë bërë ç’është e mundur për të krijuar vështirësi dhe mjerime në Shqipërinë e porsalindur. 

Pra, nëse Greqia vendoste të shkretonte Jugun e Shqipërisë, Serbia përpiqej t’i jepte asaj shembull në Verilindje me inkursionet e saj në Dibër e Lumë, ku me dhjetëra fshatra u rrafshuan me themel, duke filluar nga tetori 1913. 

Anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar për kufirin verior të Shqipërisë kanë mundur të konstatojnë me sytë e tyre masakrat serbe ndaj një popullsie të pafajshme. Unë e di mirë se serbët janë përpjekur, që të gjitha fajet t’ua hedhin shqiptarëve, unë e di fort mirë të gjithë përpjekjet e shtypit dhe të zyrës së shtypit për të berë të besueshëm lajmin e një sulmi nga ana e Shqipërisë. Po ne kemi dëshmitë e dëshmitarëve të paanshëm dhe një ditë do t’i publikojmë ato. 

Prej kohësh Serbia ka qenë një demon në kurriz të Shqipërisë, duke zhvilluar një veprimtarı te gjerë më vepra dhe fjalë për të destabilizuar Shqipërinë, për të mbajtur gjallë turbullira të përhershme në kufi, sidomos në zonën e Dibrës, duke aktivizuar hapur me para agjentët xhonturq, njerëz të besuar të bandës së zezë të Konstandinopolit. 

Nëse Serbia flet tani për intriga të xhonturqve, nuk duhet harruar se është ajo që ka mbështetur dhe përkrahur këto intriga dhe këtë loj propagande, sepse ajo po përdor të gjitha mjetet që mund t’i bëjnë keq Shqipërisë. 

Pra, shihet qartë se Serbia në këto çaste po ndjek një program të hartuar qysh prej dy vjetësh e gjysmë. Ky dhunim i asnjanësisë shqiptare a do të tolerohet vallë nga Fuqitë e Mēdha, garantë kësaj asnjanësie të vendosur në Konferencën e Londrës? 

L’Indipendance Albanaise , Viti 1, Nr. 9 & 10

15 qershor – 1 korrik 1915

By Editor